LSI, Rama: S’ka rëndësi data por pastrimi i zgjedhjeve nga krimi

Shqipëria

LSI, Rama: S’ka rëndësi data por pastrimi i zgjedhjeve nga krimi

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 15:56
Luan Rama

Nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve por pastrami I procesit zgjedhor nga krimi.

Kështu ka deklaruar zv.kryetari i LSI-së Luan Rama pas takimit konsultativ që zhvilloi me Presidentin Ilir Meta, në qendër të të cilit ishte caktimi i datës së zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm.

Ja deklarata e Luan Ramës

“Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim unë ndava me Presidentin e Republikës shqetësimin që nuk është vetëm i LSI-së dhe nuk është vetëm i opozitës, por i të gjithë shoqërisë shqiptare që problemi i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është data. Problemi i zgjedhjeve në Shqipëri është standardi i tyre, cilësia e tyre dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja, është pastrimi i zgjedhjeve nga interferenca, ndikimi, lobimi dhe trafikimi e blerja prej grupeve kriminale. Problemi më i madh që ka shoqëria shqiptare që prej pluralizmit demokratik në fakt ka qenë kriminalizimi i zgjedhjeve, dhe prej këtej pastaj burojnë të gjitha të këqijat e tjera siç është praktikisht edhe situata në gjendje kolapsi e funksionimit të institucioneve të shtetit.

Një pushtet që buron nga veprimtaria kriminale dhe lobimi kriminal, natyrisht nuk mund të bëjë tjetër veçse do t’u kthejë reston grupeve kriminale. Ky është shqetësimi i madh, ky është problemi i madh dhe për sa kohë nuk ka vëmendjen, vlerësim dhe angazhim të qeverisë për të pastruar, ajo e para veten dhe pastaj edhe zgjedhjet nga krimi, gjithçka tjetër pastaj është formale. Unë jam këtu dhe flas për qëndrimin e LSI-së dhe për atë se çfarë unë i kam thënë Presidentit të Republikës, dhe nuk mund të bëhem zëdhënës i Presidentit. Më lejoni ta shpjegoj që ta kuptoni që ky vend i mbytur nga informaliteti dhe kriminaliteti, nuk ka nevojë për zgjedhje formale, por ka nevojë për zgjedhje reale dhe për zgjedhje që të garantojnë përfundimisht shprehje të vullnetit qytetar dhe jo shprehje të vullnetit të grupeve kriminale. Më qartë se kaq dhe më shqip se ka , nuk ka se ç’të them tjetër pasi ju po e shihni vetë, publiku po e sheh vetë se çfarë ndodh me qeverisjen dhe çfarë ndodh kur qeverisja është e detyruar t`i kthejë reston krimit”, tha Luan Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat