Rama: Do të bashkojmë doganat me Kosovën, askush nuk na ndalon dot!

Shqipëria

Rama: Do të bashkojmë doganat me Kosovën, askush nuk na ndalon dot!

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 17:56
Edi Rama

‘Askush nuk na ndalon që të bëjmë bashkimin doganor me Kosovën, pasi kjo është e drejtë e dy shteteve tona’

Kështu deklaroi kryemininistri Edi Rama nga Kukësi lidhur me pyetjet për heqjen e doganave mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kreu i qeverisë deklaroi se kur flasim për dy vende pa dogana, nënkuptojmë bashkim doganor

I pyetur për komentet e ndërkombëtarëve, sipas të cilëve diçka e tillë do të ndodhte vetëm kur të hyjmë në BE, Rama tha se ata “nuk na ndalojnë dot dhe nuk kanë se si dhe as përse të na ndalojnë.”

Lidhur me vonesat e aplikimit të nismes së dy qeverive, Rama deklaroi se Shqipëria është gati prej një viti, por Kosova jo.

Kreu i qeverisë tha se në mbledhjen e dy qeverive në fund të nëntorit në Kosovë, do të vendoset bashkimi doganor, ku do të ketë vetëm një kontroll të përbashkët në kufi, ndërsa Durrësi do kthehet në doganë të përbashkët

“Kur flasim për Shqipëri dhe Kosovë pa dogana flasim për bashkim doganor. Është e drejta e dy shteteve tona. Ne kemi qenë gati prej vitit të shkuar, por qeveria e Kosovës nuk ishte gati. Mbledhja tjeter që do mbahet në fund të nëntorit në Kosovë do vendosim dhe Durrësi do bëhet dogana e përbashkët. Në Morinë do bëjmë një pikë të përbashkët me policë shqiptarë dhe kosovarë dhe do kemi vetëm një kontroll, dhe jo dy palë doganierë dhe dy palë policë.  Kjo bëhet për të lehtësuar sipërmarrjen dhe procedurat, që të mos detyrohen njerëzit të humbasin kohë me burokracitë.“, deklaroi Rama

Kreu i ekzekutivit tha se nëse diçka të tillë e dëshiron edhe Serbia, kjo mund të ndodhë.

“Ua kam thënë edhe miqve tanë Europianë që nëse Serbia do të bëjë bashkim doganor me ne, nuk ka asnjë problem, mund ta bëjmë edhe me Serbinë, por me Kosovën ne do ta bëjmë dhe nuk na ndalojnë dot. S’kanë se si dhe pse. Është shumë e mundur dhe shumë e thjeshtë dhe lehtësuese për të gjithë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat