Banorët: Po na i prishin shtëpitë pa dëmshpërblim

Shqipëria

Banorët: Po na i prishin shtëpitë pa dëmshpërblim

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 14:01
Punimet

Unaza Lindore e Tiranës, që ka nisur ndërtimin, duhet të sillte zhvillim në zonë, por ka krijuar qindra të pastrehë nga shembja e shtëpive dhe shumë të papunë nga shkatërrimi i bizneseve. Banorët janë përjashtuar padrejtësisht nga procesi i legalizimeve dhe si rrjedhojë dhe nga përfitimi i kompensimit të dëmeve. Qytetarët tashmë janë të lodhur dhe të stresuar nga procedurat e legalizimit, dosjet e të cilëve janë në arkivat e ALUIZNI-t dhe askush nuk i vlerëson, sepse, siç shprehen, zyrtarët kërkojnë para.

Në një rrëfim për “Shekulli”-n, të prekurit e drejtpërdrejtë nga ky proces, treguan vuajtjet ndër vite, netët pa gjumë dhe ankthin që kalojnë çdo ditë, nga frika se do të mbeten pa strehë, si pasojë korrupsionit që mbizotëron në të gjitha institucionet . Gazeta “Shekulli” mësoi se e gjithë rruga, e cila fillon nga zona e Farkës dhe mbaron në Lundër, do të përfshijë edhe prishjen e shumë objekteve. Të stepur përballë frikës se mos humbasin edhe ato që kanë arritur deri tani, banorët mundohen të mos japin reagimet e tyre. Pavarësisht këtyre problemeve, qytetarët e zonës janë të vetëdijshëm se rruga duhet bërë, në mënyrë që të zhvillohet zona, por ajo vjen në një moment të papërshtatshëm për ta.

Askush nuk i ka ndaluar që të ndërtojnë banesat e tyre dhe për këtë arsye ata kërkojnë të dëmshpërblehen sipas ligjeve në fuqi. Punonjësit dhe mirëmbajtësit e rrugës nuk pranojnë të flasin për median, edhe pse janë të lajmëruar se nuk do të identifikohen me anë të emrave. Por disa prej tyre pranuan që të flasin, thanë se gjendja në të cilën ndodhen është e patolerueshme.

Rrëfimi

Banorët e zonës së Lundrës, shprehen se askush nuk i përgjigjet thirrjes së tyre për drejtësi. I gjithë investimi i bërë ndër vite është në duar të pasigurta, sepse nuk ekziston një ekip që bën matje dhe vlerëson pronat. E vetmja gjë që të bie në sy janë fadromat e verdha, që zbatojnë ‘urdhra’, ndërsa banorët e kësaj zonë tashmë e kanë pranuar në heshtje fatin e tyre. Të pashpresë dhe të lodhur nga sorollatjet e pafundme të institucioneve, të cilat bashkëpunojnë ngushtë me korrupsionin, shumica e tyre janë detyruar që të heqin dorë nga lufta për të mbrojtur pasuritë, punën dhe gjithë investimin e jetës së tyre. Mes rrënojave të banesave, rrëfejnë me lot në sy pamundësinë për të luftuar për të drejtat e tyre, pasi nga ky proces mund të dalin të fituar vetëm ata që paguajnë një tarifë 2 mijë deri 5 mijë euro sekserëve të shtetit.

“Unë do të iki fare jashtë vendit, këtu nuk ka shpresë”, shprehet 55 vjecari Fadil Selmanllari, i cili ka në këtë zonë ka të gjithë djersën e fituar me vite, tre banesa dhe një biznes, por shteti nuk e ka dëmshpërblyer dhe ai e ka kuptuar që e vetmja rrugë për të shpëtuar disi nga shkatërrimi, është  të bashkëpunojë me korrupsionin, me sekserët që enden çdo ditë në dyert e këtyre banorëve për të ofruar ndihmë në këmbim të 5 mijë eurove. Në të kundërt procedurat e tyre të legalizimeve do të jenë të pafundme dhe fadroma do jetë ajo që do i japin fund problemit të tyre. Përgjatë këtij rrëfimi për “Shekulli”-n, Fadili tha se askush nuk është kundër zhvillimit të zonës, ndërtimit të rrugëve, por kërkojnë që të dëmshpërblehen. Kjo jo që nuk ndodh, por jetojnë cdo ditë me presion dhe premtime boshe. “Ne jemi dakord që rruga të bëhet, por duhet të marrim dëmshpërblimin. Ne i kemi filluar procedurat e legalizimeve që në vitin 2006 dhe nuk ka pyetur askush. Nuk është faji jonë për këtë që po ndodh, sepse i kemi bërë të gjitha dokumentet e legalizimit, i kemi me emra dhe mbiemra dosjet, por kërkojnë lekë dhe na bëjnë presion. Këtu kam 3 shtëpi dhe një biznes”.

Si u krijuan banesat e para aty?

Kjo që po ndodh nuk është thjesht zbatim i një projekti, por është si pasojë e ndërrimit të qeverive, të cilat kanë lënë pasoja në sistemin e drejtësisë. Pasoja që rëndojnë sot në kurrizin e banorëve, pasi nuk gjejnë zgjidhje te ligji as te institucionet. Ata rrëfejnë se qëkur kanë ardhur në këtë zonë kanë respektuar procedurat ekzistuese dhe kanë paguar të gjitha detyrimet financiare.

“Në fillim kemi ndjekur procedurat që ishin, duke bërë deklarim dhe kemi paguar lekë në bankë, kur ishte ALUIZNI të IKV-ja, e cila më pas erdhi te stacioni trenit. Na mbajnë me mashtrime, na lodhën. Unë tani nuk kam fuqi më që të merrem me këto procedura. Na gënjejnë. Kanë ardhur 50 herë për të bërë matje, na kanë mbajtur lekë dhe në fund thonë: “Ka kaluar afati dhe shtepitë janë të palegalizuara”. Nuk e di nëse i kanë grisur fare dosjet që kam te hipoteka. Ne kemi kërkuar një grup pune që të vijë në terren”, shprehet më tej Fadili. Ai e do shumë vendin e tij, por ka humbur besimin te autoritetet, të cilat kanë ndërtuar projekte, sipas interesave të tyre, duke zhvatur qyetarët. Edhe Fadili nuk dëshiron që të japë lekë për të zgjidhur problemin me pronat e tij, mbetet në një rrugë me dy alternativa të vetme: ose të japë 5 mijë euro sekserëve që enden cdo ditë rrugicave të lagjes, ose të largohet fare dhe të heqë dorë. “Projekti bëhet sipas partive. Sekserët sillen gjatë gjithë kohës dhe kërkojnë nga 2 mijë euro për legalizim, na kanë lodhur. Unë nuk kam pranuar të paguaj sekserë, por e di që nuk do të ma japin legalizimin pa dhënë lekë”.

Objektet e skulifikuara

Beteja me korrupsionin është bërë e pamundur, sipas djaloshit 25 vjeç, Dashamir Hoxha. “Na kanë thënë jeni të skualifikuar”, tregon i dëshpëruar, por i vetmi fajtor është qeveria, sepse ka shumë korrupsion. Ata janë dëshmitar për këtë fenomen, por askush nuk i beson, askush nuk e dëgjon zërin e tyre. Ne na kanë thënë, që jeni të skuaifikuar. Kjo do të thotë, që nuk e marrim legalizimin. Procesi i legalizimeve është që në vitin 2008. Atëherë i kemi paguar faturat, por nuk na dhanë legalizimin, sepse thonë se është projekt i rrugës. Jam banor i kësaj zonë që në vitin 1988. Legalizmi është faji i shtetit. Ne kërkojmë vetëm çmimin e kostos. Ka shumë korrupsion. Kemi 6 vjet që flemë me stres dhe jetojmë me frikën, se kur do vijnë të na i prishin ndërtesat. Unë kam dy objekte të skualifikuara nga procesi i legalizimit, njëra është shtëpi trikatëshe”, rrëfen ai.

Edhe pse puna për shkatërrimin e biznesit të tij kishte filluar tashmë nga inspektorët me bluza të verdha, ai vazhdon të ushtrojë me pasion profesionin e berberit për të siguruar të ardhura. “Unë jam prekur dhe po shkatërrohen të gjitha ndërtesat këtu. Mua po më shkatërrohet shtëpia dhe biznesi. Do kompensohet vetëm shtëpija që kam me letra, ndërsa ato që kam në process legalizmi jo. Jemi në ajër, nuk e di çfarë do bëhet”.

Image

Sula: Ligji nuk zbatohet, sepse ka pengesa nga ndërhyrjet e sekserëve

Pa infrastrukturë nuk ka qytetërim”, rrëfen 73 vjecari Shqir Sula, i mençur dhe shumë i shëtitur.  Si një banor i vjetër i kësaj zonë, i cili kishte 29 vite që jetonte në Lundër, bëhet udhërrëfyesi i vuajtjeve të banorëve. Ai thotë, se difekti më i madh që ka shoqëria është se në këtë shtet nuk ka garanci, pasi askush nuk zbaton ligjet.

“Rruga që planifikohet të ndërtohet sipas projektit është 36 metra, që fillon nga TEG dhe përfundon te ura e Shkozës. Unë kam qenë në 11 shtete të botës dhe është normale të ndërtohen rrugë. Pasqyra e shtetit është policia, ushtria dhe rruga. Po nuk pate infrastukturë të rregullt nuk ke përparim, pa polici nuk ke disiplinë, pa ushtri nuk ke mbrojtje. Unë kam punuar disa vite në ushtri, por tani jam pensionist. Këtu ka një difekt shumë të madh, sepse askush nuk ka garanci”. Së fundmi, Sula bëhet njësh me shqetësimin e banorëve, të cilët akuzuan korrupsionin në institucionet e shtetit, duke zvarritur procesin e legalizimeve. “Të gjithë pasurinë që ke ndërtuar me sakrifica vjen një tjetër në pushtet dhe ta heq. Është e rëndësishme që çdokush që vjen të japë garanci. Ligjet janë, por nuk zbatohen. Unë mendoj, se fajin e ka qeveria. Administrata ka shumë gabime, sepse janë mësuar me sekserllëk. Disiplina duhet, por nuk ka vullnet për t’i bërë punët sipas ligjit. Përshkak se ka shumë ndërhyrje sekserësh ka krijuar probleme në zbatimin e ligjit, duke zvarritur punën”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat