Dy turistët që humbën në Theth tregojnë 'aventurën': Si na gjetën Çesku, Niko dhe Françesku

Shqipëria

Dy turistët që humbën në Theth tregojnë 'aventurën': Si na gjetën Çesku, Niko dhe Françesku

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 07:52
Turistët e huaj që humbën rrugën në Theth, Chris Simm, 33 vjeç nga Anglia dhe Sanne Carbaat, 27 vjeçe nga Holanda

Turistët e huaj që humbën rrugën në Theth, Chris Simm, 33 vjeç nga Anglia dhe Sanne Carbaat, 27 vjeçe nga Holanda., u shpëtuan nga tre banorë të zonës pas më shumë se 5 orësh pritjeje në një lartësi 2 mijë metër. Një mesazh në celular që vuri në dijeni pronaren e kampingut vuri në lëvizje Policinë dhe 3 djem të fshatit që u nisën t'i gjenin.

Në një intervistë për gazetën Panaroama, turistët treguan: "Jemi nisur në ora 08:00 nga Valbona për të shkuar në këmbë deri në Theth. Koha ishte e mirë. Gjatë ecjes, te një bar-kafe që është përgjatë këtij rrugëtimi, ne jemi ngatërruar dhe jemi futur djathtas në vend që të shkonim majtas sepse shenjat e orientimit nuk ishin të mira.

Pjesa e parë e ecjes ishte shumë e mirë, ishte shumë e bukur sepse ishim në rrugën e drejtë, por në momentin që humbëm, nuk kishte më as shenja, ishte mjegull, ishte terren i rrëshqitshëm çdo cep dhe nuk kishim mundësi të dinim asgjë më shumë. U bë shumë e vështirë pastaj për shkak të ftohtit, erës apo edhe shiut. Nuk e dinim ku ishim dhe nuk mund të ecnim më shumë sepse e dinim se ecja ishte e kotë tashmë sepse nuk kishim një pikë mbërritjeje, ndaj vetëm u përpoqëm të gjenim një vend se ku të ndaleshim.

Mbërritëm aty rreth orës 18:00, pra, pas rreth 10 orësh rrugë dhe djemtë që na shpëtuan erdhën rreth orës 23:00. Problemi ynë ishte se nuk e dinim ku ishim saktësisht dhe se ku mundeshim të shkonim të nesërmen dhe se sa të lodhur mund të ishim për të mbërritur në një vend tjetër. Në fillim kishim pak frikë. Ne nuk kemi humbur ndonjëherë dhe u ndjemë të frikësuar dhe pak budallenj për arsye se ne ishim shumë të përgatitur dhe në një moment ndaluam dhe menduam se ku kemi bërë gabimin. 

Çesku, Niko dhe Françesku, pra, tre djem nga Thethi. Fatmirësisht, ne kishim fjetur në kampingun e Loren Nikaj në hyrje të Shkodrës dhe ajo na dha numrin e saj. Na tha që ta kontaktonim për gjithçka. Kur e pamë veten të humbur, arritëm që të lidheshim me të dhe i shpjeguam situatën. Ajo na mbajti në kontakt, na tha se kishte lajmëruar Policinë dhe se ishin nisur për të na shpëtuar, mesa morëm vesh më pas, Policia e cila ndodhej më larg, ka kontaktuar banorë të zonës dhe iu ka kërkuar djemve të Thethit, që të ndërhynin për të na shpëtuar. Ata janë nisur menjëherë dhe ne i falënderojmë.

Njëri prej tyre, Niko, ishte ai që erdhi i pari te ne te vendi ku ishim dhe na mori. Rrugën e kthimit drejt Thethit e kemi bërë për dy orë e gjysmë, pra, ka qenë shumë më e shkurtër se sa koha që pritëm. Ishim të sigurt se dikush po vinte sepse edhe Loren na kishte qetësuar gjithë kohën nëpërmjet telefonit se ishin nisur për të na shpëtuar. Djemtë kur erdhën, ishim shumë të sjellshëm, na thanë s’ka problem, rrini të qetë, s’ka asnjë shqetësim, asnjë problem dhe se do ktheheshim. Sikur shpëtimi ynë të ishte bërë me helikopter, edhe pse më shtrenjtë do ishte edhe më mirë.

Shpëtuesit e turistëve tregojnë historinë:

Çesk Berishta është një prej tre djemve, i cili i shpëtoi jetën dy turistëve bashkë me Nikollë Djegsina dhe Françesk Harusha. Ai rrëfen momentet e vështira, ndërsa u bën thirrje turistëve që të mbajnë numra kontakti të vendasve në udhëtime të tilla, pasi zona ku dy turistët humbën, ka mjaft kafshë të egra. “U bëj thirrje turistëve që të mbajnë numër telefoni të dikujt kur janë në ato zona sepse mund të kenë nevojë si në këtë rast. Ishte e vështirë sepse kemi ecur për disa orë. Policia na njoftoi dhe shkuam. Kafshët e egra janë problem, deri tani s’ka raste, por kur janë të uritur, mund të sulmojnë nëse shohin njerëz. S’jam menduar dy herë, isha në gjysmë të rrugës kur më mori për herë të dytë Policia për të saktësuar vendin ku ndodheshin turistët”, rrëfen i riu, banor i zonës, i cili falënderon edhe Policinë, që iu besoi jetën e këtyre tre turistëve, por edhe iu dha koordinatat e sakta dhe që ishte mjaft e angazhuar për jetën e çiftit.

Loren Nikaj, e cila i kishte dy ditë më përpara në kampingun e saj në hyrje të Shkodrës dy turistët, tregon se si në mënyrë rastësore i kishte dhënë numrin e saj të celularit, kontakt ky i cili i shpëtoi jetën. Turistët i kanë dërguar një mesazh Loren se kanë humbur në mal dhe më pas ajo ka vijuar komunikimet deri sa është arritur të shpëtohen. Ajo kërkon nga shteti që në zona si Thethi, ku numri i turistëve është i madh, të ngrihen nga ministritë dhe emergjencat skuadra të gatshme shpëtimtarësh të përbëra nga banorët e zonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat