Dëshmorët e “21 Janarit”; Qeveria bën ligj të ri për t’iu dhënë statusin

Shqipëria

Dëshmorët e “21 Janarit”; Qeveria bën ligj të ri për t’iu dhënë statusin

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 15:31
Dëshmorët e “21 Janarit”

Qeveria paraqiti në Kuvend një ligj të ri për Dëshmorët. Projekti parashikon dhënien e titullit dëshmor edhe të atyre që kanë rënë në përpjekje për të mbrojtur proceset zgjedhore. Ata që përfitojnë janë katër të rënët në protestën e 21 Janarit. Ligji i ri nuk prek asnjë nga statuset e dhëna deri më tani.

Pak muaj nga 8 vjetori i 21 Janarit, Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj të ri përsa i përket Statusit Dëshmor i Atdheut. Risitë që sjell ky draft lejojnë që këtë status ta përfitojnë edhe 4 viktimat që u vranë në protestën e 21 janarit 2011.

Ligji i ri rendit disa kritere për përfitimin e këtij statusi, ku mes të tjerash, në Nenin 5, gërma LL, theksohet se mund të shpallen Dëshmorë të Atdheut edhe “shtetasit shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë, për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”. Ky përkufizim i ri i hap rrugën shpalljes së Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës si Dëshmorë të Atdheut, përsa kohë është faktuar edhe në proces gjyqësor se ata ishin të paarmatosur ndërsa u qëlluan nga Garda gjatë një proteste të opozitës.

Socialistët në atë kohë ishin në opozitë dhe Edi Rama premtoi se do të bënte drejtësi për viktimat. Tashmë në pushtet prej më shumë se një mandati në pushtet, Kryeministri e di që familjarët e 4 viktimave kërkojnë ende të vërtetën, por ajo që pritet të marrin janarin e ardhshëm është një titull nderi më shumë, shoqëruar me një kontribut modest financiar të përmuajshëm.

Ligji i ri për Dëshmorët e Atdheut ia jep mundësinë ta gëzojnë këtë status edhe atyre që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor, pas datës 8 dhjetor 1990.

Gërma H e po të njëjti nen përfshin mes kritereve edhe shtetasit shqiptarë që kanë rënë duke luftuar për pavarësinë e Kosovës, si dhe ata të rënë për të drejtat kombëtare në konfliktet e tjera etnike të zhvilluara në Ballkan, gjë që duket se përfshin edhe konfliktin në fillim të Mijëvjecarit të ri në Maqedoni.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, ai ekzistues shfuqizohet, por shpalljet “Dëshmor” nuk janë objekt rishikimi nga ligji i ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat