Kampi i Tepelenës, ceremoni në nderim të viktimave

Shqipëria

Kampi i Tepelenës, ceremoni në nderim të viktimave

Më: 3 nëntor 2018 Në ora: 11:23
Ceremoni në nderim të viktimave

Qindra vetë morën pjesë në një ceremoni lutjesh, në nderim të viktimave të kampit të Tepelenës.

Ceremonia është i pari ritual lutjesh, 65 vite pas mbylljes së kampit të Tepelenës, brenda të cilit humbën jetën nga sëmundjet, uria dhe vuajtjet, përveç 700 të rriturve, edhe 300 të mitur.

300 selvi të mbjella në pyllin e fëmijëve, brenda ish-kampit, janë memoriali i parë për ngjarjet e tmerrshme të Luftës së Ftohtë.

Simon Miraka, një ish-i dënuar politik dhe përfaqësues i Autoritetit të Dosjeve tha se, drejtësia për ta ende nuk është vendosur. Shumica e atyre që humbën jetën në mënyrë të padrejtë në kamp, ende nuk e kanë një varr.

Përfaqësuesit e komuniteteve fetare, njëri pas tjetrit mbajtën lutje për viktimat.

Në ceremoni merrnin pjesë familjarë të të internuarve të dikurshëm në Tepelenë dhe banorë të zonës. Së afërmi, rrënojat e kampit të Tepelenës do të kthehen në një muze të kujtesës për viktimat e diktaturës, burra, gra dhe fëmijë.

Diktatura komuniste përndoqi në këtë kamp mbi 5.000 persona mes viteve 1949 dhe 1953. Të gjitha familjet e persekutuara ishin nga veriu i vendit, e kampi ishte përgjigjja e qeverisë komuniste ndaj grupit të familjeve të njohura si “Rezistenca e Maleve”, që kundërshtuan me armë vendosjen e diktaturës në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat