Bie Lleshi, nis “shahu politik” - Bota Sot
Bie Lleshi, nis “shahu politik”

Shqipëria

Bie Lleshi, nis “shahu politik”

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 10:21
Edi Rama dhe Ilir Meta

Pas refuzimit të gjeneral Sandër Leshit për postin e ministrit të Brendshëm vendi futet në kaos institucional. Rama i shkon në zyrë Metës ku bisedojnë për 90 minuta dhe flet për “debat konstruktiv” që do vijojë. A ka të drejtë presidenti të vendosë për ministrat e Ramës? Precedenti Nishani dhe vendosmëria e Metës për t’u bërë protagonist. Debati që nuk do ketë zgjidhje për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese.

“Do të jetë vendim kurajoz”, -tha kreu i shtetit Ilir Meta pak orë para se të refuzonte dekretimin si ministër të Brendshëm të gjeneral Sandër Lleshit. Vendimi ishte vërtet kurajoz, por ka sjellë shumë dilema si për atributet e presidentit në këtë refuzim, ashtu edhe në skenarë të tjerë të kryeministrit Edi Rama. Kaosi institucional i krijuar detyroi mëngjesin e djeshëm kryeministrin të takonte për 90 minuta kreun e shtetit. “Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës”, – thuhet nga burime zyrtare të kryeministrisë. Ky takim i paparashikuar dhe mjaft urgjent u diktua nga rrethanat e krijuara, për shkak të refuzimit të Metës në dekretimin e gjeneral Lleshit si ministër i Brendshëm. Me këtë lëvizje të Metës nuk është rrëzuar vetëm një emër, por po kthehet në precedent, ku Presidenti mund të “shembë” me radhë çdo kandidaturë që i duket “jo bindëse”. Të paktën ky është versioni zyrtar… “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, thuhej në njoftimin e shkurtër të Presidencës. Ndërkohë, si rrallëherë Meta nuk ka shtjelluar arsyet e mosdekretimit, e për më shumë nuk i është referuar asnjë neni kushtetues e ligji që mbështet refuzimin e dekretit. Gjithashtu, kthimi pas i emrit të propozuar nga kryeministri ka nxitur konstitucionalistët që të shfletojnë Kushtetutën nëse kreu i shtetit ka rol vendimmarrës apo thjesht ceremonial në emërimin dhe shkarkimin e ministrave. Vetë Rama në aparencë e ka marrë me sportivitet këtë befasi, duke folur për politikën që sipas tij është “lojë shahu”. Nëse do të quhet e tillë, me rënien e “oficerit madhor” Meta është në avantazh, por loja vijon dhe priten lëvizja e radhës e Ramës në këtë situatë. Politika do të luajë edhe “pa rregulla” në këtë rast, pasi arbitri i vetëm që do ishte Gjykata Kushtetuese nuk funksionon.

Prapaskenat për një ministër

Vendimi i Presidentit për të mos dekretuar Lleshin ishte lajmëruar nga ai vetë tre ditë më parë në një intervistë, ku u shpreh se për këtë çështje do të tregohej tepër kurajoz. Gjithashtu, flitet se të premten Meta kërkoi që Lleshi të paraqitej në Presidencë për një bisedë në lidhje me dekretim ose jo të tij. Ndërsa të shtunën Meta ka shprehur mendimet e tij për ta mos dekretuar dhe mendohet se janë disa informacione konfidenciale të ardhura nga institucionet e inteligjencës që e gjejnë të “papërshtatshëm” figurën e gjeneralit në këtë post. Me gjithë errësirën e informacionit zyrtar, shkaku i mosdekretimit ende është me mister të madh. Biseda 90 minuta mes Ramës dhe Metës nuk lidhet vetëm me rrëzimin e Lleshit në postin e rëndësishëm, por edhe mbi kompetencat e presidentit. Qëndrimi i Metës shënon precedentin e parë ku kreu i shtetit nuk dekreton një propozim të një kryeministri për ministër. Në të gjithë rastet kur janë bërë emërime apo shkarkime ministrash, i janë referuar nenit 98 të Kushtetutës. Ky nen thekson se: “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”. Në rastin e Sandër Lleshit, Meta bëri edhe precedentin e parë për refuzimin e një kandidature për ministër. Por për të shuar hamendësimet për këtë rast presidenti mori si shembull rastin e Presidentit italian, i cili ka të njëjta kompetenca si Presidenti në Shqipëri, ku refuzoi një ministër duke mos e dekretuar. “Nuk është çështje shpatullash, është çështje bindjesh dhe të jeni të sigurt, jo një, por edhe 10, edhe 20 që nuk do të më bindin, nuk do t’i dekretoj, nuk do t’i firmos. Të jeni të sigurt për këtë gjë. Presidenti nuk është një figurë që merret as më PPP-të dhe as me këto, por kur vjen momenti që merret me çështje të tilla, siç kemi rastin e Italisë, ku Presidenti ka të njëjtat kompetenca dhe mendonte që një profesor i ekonomisë që e kishin propozuar për ministër të Ekonomisë, rrezikonte me idetë e tij të cenonte objektivat e Italisë dhe prezencën e saj në euro, tha që nuk e firmos”- ka theksuar Presidenti Meta. Krejt ndryshe veproi ish-presidenti Bujar Nishani para një viti kur në tryezën e tij kishte emrin e Fatmir Xhafajt për ministër të Brendshëm. Nishani nuk ishte dakord me figurën e Xhafajt, pasi konsiderohej person që kishte shërbyer në sistemin e drejtësisë si hetues para viteve ‘90, madje aludohej se kishte marrë pjesë edhe në gjyqet politike. “Në vlerësimin tim, kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme, por Kushtetuta nuk ia jep të drejtën Presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër”- u shpreh ish-Presidenti Nishani në atë kohë. Gjithashtu, shtoi se: “Në rast se Kushtetuta e vendit do t’ia njihte të drejtën Presidentit, unë do ta refuzoja kandidaturën e ministrit të Brendshëm”, duke miratuar një vendim që ai nuk e donte, ndryshe nga Presidenti Meta me rastin e Sandër Lleshit.

Reagimet politike, krizë institucionale?

Refuzimi i kandidaturës për ministrin e ri të Brendshëm nga ana e presidentit duket se nuk ishte parashikuar nga kryeministri Edi Rama, por befasia nuk e ka shtyrë për të reaguar emocionalisht, përkundrazi. Menjëherë pasi Meta zyrtarizoi qëndrimin për refuzimin e dekretimit të Sandër Lleshit, kreu I qeverisë u dërgoi një mesazh të gjithë deputetëve të PS-së. “Lutem asnjë lloj komenti askujt për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t’i dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni”-u shkruan Rama të tijve. Ndërsa thotë se “janë shumica dhe do iu dalin zot njerëzve, vendit e Kushtetutës” u nënkuptua se ajo që do të vinte më pas do ishte qëndrim i fortë e ligjor i qeverisë. Fillimisht u mendua se Rama nuk do hiqte dorë nga Sandër Lleshi, por duke ia besuar detyrën në tjetër formë, pa pasur nevojë për dekret presidencial. Një nga format ishte që kryeministri ta emëronte zëvendësministër të Brendshëm Lleshin, por duke i atribuuar kompetencat e ministrit me delegim. Kjo formë mund të zgjidhej vetëm nëse ministri ende në detyrë Fatmir Xhafaj do t’ia delegonte kompetencat Lleshit. Ky variant për momentin nuk shihet në avantazh, kjo edhe për faktin që Meta e dekretoi menjëherë shkarkimin e Xhafajt, por refuzoi pasardhësin. Takimi i djeshëm me presidentin, e mbi të gjitha për 90 minuta kuptohet që nuk ka qenë për një “dorë shah”, por në këtë rast Rama po luan politikisht duke e njohur institucionin e presidentit. Për këtë çështje mbajti qëndrim edhe kryedemokrati Lulzim Basha që e sheh në linjë qartësisht kushtetuese qëndrimin e kreut të shtetit për të refuzuar dekretimin e një ministri. “Presidenti ka kompetencat e tij kushtetuese dhe jam i sigurt që ai do të japë të gjitha për aspektin kushtetues për dekretin e ministrit të Brendshëm të propozuar nga Rama. Një gjë është e sigurt, që lëvizja e ardhshme në atë që nuk është lojë shahu, por ka të bëjë me fatin e shqiptarëve, është largimi i vetë Edi Ramës”-tha Basha. Në një situatë të tillë që sjell përplasje institucionale i vetmi “arbitër” që do zgjidhte ngërçin do të ishte Gjykata Kushtetuese. Ky institucion nuk funksionon për shkak të reformës në drejtësi, ajo ka mbetur me vetëm dy anëtarë, nga nëntë që ka në organikën e saj ligjore. Konstitucionalistët në këtë pikë janë të ndarë, një pjesë gjykojnë se presidenti ka të drejtën e mosdekretimit të një ministri nëse ka të dhëna se ai është i papërshtatshëm me postin, ndërsa të tjerë shprehen se roli i kreut të shtetit është thjesht ceremonial dhe jo vendimmarrës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...