Unaza e Re, PD: Të dëmshpërblehen banorët që Rama -Veliaj iu mori paratë dhe votat!

Shqipëria

Unaza e Re, PD: Të dëmshpërblehen banorët që Rama -Veliaj iu mori paratë dhe votat!

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 14:55
Pamje nga protesta

"Banorët tek Unaza e Re, të cilëve kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj iu kanë marrë paratë dhe votën për legalizim, duhet të dëmshpërblehen pa vonesë." 

Ky ishte mesazhi që Partia Demokratike i ka përcjellë publikisht sot qeverisë, pasi ka denoncuar se 18 milionë eurot për ndërtimin e rrugës,  Edi Rama dhe Erion Veliaj po ia japin një kompanie guaskë me pronarë të panjohur të regjistruar në “parajasat fiskale”.

317 godina, shtëpi dhe biznese do të shemben nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja, duke nxjerrë në rrugë qindra familje qindra biznese. Qytetarët po protestojnë prej ditësh për mungesën e transparencës dhe janë treguar të vendosur që të mos lejojnë të abuzohet me pronën e tyre dhe mundin e një jetë.

“Rama dhe Veliaj, - tha zëdhënësja e PD, Ina Zhupa,  duhet t’u thonë sot shqiptarëve kush është pronari i vërtetë që fshihet pas kompanisë guaskë, duke grabitur me maskën e parajsës fiskale, 18 milionë euro të taksave të shqiptarëve. 

Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të dëmshpërblejnë pa vonesë të gjithë banorët, të cilëve u kanë marrë paratë dhe votat për të legalizuar shtëpitë, ndërsa tani i trajtojnë si qytetarë të paligjshëm.

Partia Demokratike gjen rastin të sigurojë shqiptarët se me “Ligjin Antimafia” askush nuk do të gëzojë pasurinë e grabitur, duke u fshehur në guaskën e parajsave fiskale.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat