“Bankat na shkelin të dhënat personale”. Komisioneri Dervishi: Ka denoncime dhe penalizime

Shqipëria

“Bankat na shkelin të dhënat personale”. Komisioneri Dervishi: Ka denoncime dhe penalizime

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 16:11

Mund t’iu ketë ndodhur t’iu kenë telefonuar në numrin tuaj të telefonit, njerëz që bëjnë reklama për produkte të ndryshme. Në fakt, ju as i njihni dhe as nuk e keni kuptuar sesi e kanë siguruar numrin tuaj të telefonit.

Në shumicën e rasteve janë bankat, ato që shpërndajnë të dhënat tona, të cilat vet ne ua japim kur kryejmë veprime bankare. Por, kjo është shkelje e të dhënave personale, ndaj tregohuni të vëmendshëm.

“Të marrin emër, mbiemër dhe të dhënat e pagës. Por është e panevojshme të të marrin për shembull grupin e gjakut. Nuk duhet t’i keqpërdorin të dhënat personale, por t’i përdorin vetëm për qëllimin për të cilin klienti është paraqitur në bankë. Edhe ne qytetarët vet nuk jemi aq të kujdesshëm kur firmosim kontratën me bankën, aty ku përgjegjësitë shkruhen me shkronja të vogla, ndaj dhe ne japim konsensusin që të dhënat tona personale të përdoren edhe për qëllime të tjera”, tha Besnik Dervishi, komisioner i Mbrojtjes së të dhënave personale.

Janë të shumta denoncimet e qytetarëve për rastet kur u janë shkelur të dhënat personale dhe ndaj disa bankave dytësore ka pasur edhe masa ndëshkuese. Por, për çfarë qëllimesh, bankat keqpërdorin të dhënat personale të qytetarëve?

“Për të bërë reklamë, për shitje elektronike, për oferta të agjencive turistike. Banka ua kalon informacionet kontrolluesve të tjerë, subjekteve të tjerë që të përdorin të dhënat tona personale”, u shpreh më tej Dervishi.

Komisioneri i Mbrojtjes së të dhënave personale është vlerësuar me çmim të parë, në konkursin që zhvillohet nga Konferenca ndërkombëtare e mbrojtjes së të dhënave personale në Bruksel.

“Për kategorinë e ndërgjegjësimit, Shqipëria në 44 projekte të paraqitura fitoi vendin e parë dhe mori edhe çmim”, tha Dervishi.

Shqipëria është paraqitur me pullën, e cila ka si qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave personale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat