Rama i “fal” edhe 4.4 mln euro të fshehura koncesionarit për Rrugën e Kombit

Shqipëria

Rama i “fal” edhe 4.4 mln euro të fshehura koncesionarit për Rrugën e Kombit

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 08:34
Ilustrim

Përveç taksave të drejtpërdrejta që përdoruesit e automjeteve do të paguajnë për Autostradën e Kombit, që shkojnë nga 5 euro për autoveturat deri në 22.5 euro për kamionët, qytetarët shqiptarë do të paguajnë edhe 9.4 miliardë lekë (66 mln euro) nga buxheti i shtetit për 13 vitet e para të kontratës si subvencion për trafikun e munguar, ndër to mbi 4 milionë euro do t’i jepen kompanisë për defektet e fshehura të kontratës.

Kontrata ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Albanian Highway Concession (kompanive Kastrati dhe Salillari) që fitoi të drejtën për të mirëmbajtur rrugën do të ketë afat 30-vjeçar, duke nisur që nga ky vit. Mirëpo, për shkak të periudhës së gjatë në të cilën shtrihet zbatimi i saj, kontrata nuk ka parashikuar të gjitha ngjarjet. Prandaj qeveria ka vendosur që nga buxheti i shtetit të disbursojë ndaj kompanisë koncesionare një shumë prej 563 milionë lekësh ose 4,4 milionë eurosh, si kompensim për defektet e kontratës.

Kontrata në fakt rezultoi defektoze që në fillim të zbatimit të saj pasi, në momentin e negocimit kompanitë kur morën në dorëzim rrugën, gjetën më shumë dëme se sa qeveria kishte raportuar në projekt-kontratën e saj. Për rrjedhojë, gjatë negocimit është rritur vlera e subvencionit nga qeveria drejt kompanisë edhe për këtë qëllim.

Rruga e Kombit shënon precedentin e parë të administrimit të mirëmbajtjes me pagesë direkte nga përdoruesit. Përveç tyre, gjatë vitit 2019, buxheti i shtetit ka programuar të paguajë 580 milionë lekët e para (5,3 milionë euro) të subvencionit, nga të cilat 320 milionë lekë shkojnë për kompensimin e trafikut, 60 milionë lekë për supervizionin e kontratës dhe 301 milionë lekë shkojnë për defektet e fshehura të kontratës.

Sipas parashikimeve nga kontrata, të ardhurat e kompanisë pritet të jenë rreth 400 milionë euro gjatë 30 vjetëve, nga të cilat rreth 338 do të financohen nga taksat dhe 66 milionë euro nga buxhetit i shtetit, kryesisht për trafikun e munguar.

Në kontratën e koncesionit, lidhja me të dhënat e trafikut nuk është publikuar. Sipas studimit të IFC –së që dha konsulencë për koncesionin, gjatë periudhës marsit 2014-mars 2015 lëvizën rreth 5000 automjete në ditë. Supozohet se me hyrjen në fuqi të koncesionit, lëvizja e automjeteve do të bjerë dhe qeveria do të financojë koncesionarin nga taksat e tjera të shqiptarëve, të cilat shkojnë në minimalisht 5 milionë euro në vit dhe maksimumi deri në 13 milionë euro. Por nëse trafiku do të jetë mbi kufirin e supozuar nga IFC, 5000 automjete në ditë, kontrata parashikon që fitimet e koncesionarit të ndahen përgjysmë me qeverinë.

Koncensionari do të mirëmbajë vetëm aksin Milot – Morinë prej 110 kilometrash nga 160 kilometra që ka autostrada Durrës – Morinë.

Subvencioni total i Rrugës së Kombit në lekë 
Subvencioni i Kontratës koncesionare ”Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë”       8,580,000,000
Supervizion i kontratës koncensionare për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë       290,412,000
Defekte të fshehura të kontratës koncesionare për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë       563,000,000
Totali       9,433,412,000.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat