Saranda, Vlora dhe Kukësi me aeroporte

Shqipëria

Saranda, Vlora dhe Kukësi me aeroporte

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 09:15
Foto

Qeveria shqiptare do të ndërtojë dy aeroporte, në Vlorë dhe Sarandë.

Këtë lajm e bëri të ditur sot ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2019.

Përpara deputetëve të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Gjiknuri, tha se nëse nuk do të gjendet investitor privat për të ndërtuar aeroportin e Vlorës, qeveria do ta ndërtojë me para nga buxheti i shtetit.

“Do të vijojmë projekte për infrastrukturën aeroportuale, jemi në negociata për aeroportin e Vlorës, por nëse ne nuk i përfundojmë me sukses këto negociata, do të tentojmë çdo lloj mënyre për ta ndërtuar këtë aeroport, përfshirë edhe financim nga buxheti i shtetit. Sepse e ardhmja e turizmit shqiptar nuk mund të mbahet peng nga një aeroport, ndryshe nuk do të kemi turizëm, pa bërë një aeroport në Vlorë”, deklaroi ministri.

“Të njëjtën gjë po shikojmë për Sarandën, ku do të ndërtohet një aeroport me partneritet publik-privat”. Nga studimet e fizibilitetit është vërejtur që ka nevojë, sepse vetëm nga porti i Sarandës, kanë hyrë në një vit rreth 600 mijë udhëtarë.

Në fund, ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës tha se është hapur gara për të ndërtuar edhe aeroportin e Kukësit.

“Gjithashtu ne kemi hapur garën edhe për aeroportin e Kukësit, i cili do të bëhet nga një investim tërësisht privat, me shpresën që ky aeroport të përdoret nga linjat low-cost, pra me kosto të ulët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat