Tension në Bularat, policia shqiptare ndalon dy grekë, ministria bën thirrje…

Shqipëria

Tension në Bularat, policia shqiptare ndalon dy grekë, ministria bën thirrje…

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 11:43
Bularat

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes së Qytetarëve u ka bërë thirrje shtetasve grekë që kanë shkuar në fshatin Bularat për të marrë pjesë në varrimin e ekstremistit grek Konstantinos Kacifas që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe respekt.

“Shtetasit grekë që shkojnë në Bularat janë të lutur që të vetëpërmbahen dhe të tregojnë respekt për familjen dhe ceremoninë”, thuhet në deklaratën e shkurtër të ministrisë. Kjo thirrje bëhet në një kohë kur ka frikë për ndonjë përplasje të mundshme, për shkak se disa persona të dyshimtë kanë hyrë në fshatin Bularat.

Dy persona janë shoqëruar për t’u proceduar në polici për nxitje të urrejtjes mes kombeve dhe feve, ndërsa 10 persona të tjerë nuk janë lejuar që të hyjnë në Kakavijë, pasi kanë qenë të veshur me bluza me simbolin e Agimit të Artë.

Fax News raportoi se dy shtetasit grekë po dërgohen në prokurori. Atyre u janë gjetur bluza të ndaluara më mbishkrime që ngjallin urrejtje, kapuç dhe sende të ndaluara. Madje ata kanë kundërshtuar dhe forcat e policisë.

Po ashtu policia ka kthyer një furgon me mbështetës të Agimit të Artë dhe dhjetëra persona me simbole dhe flamuj grekë, të cilët tentuan të hynin në territorin shqiptar.

Pavarësisht se policia shqiptare ka marrë masa të rrepta që persona me flamuj të ashtuquajtur të ‘Vorio-Epirit’ dhe që mbanin bluza me thirrje antishqiptare, të mos lejohen në Bularat, ku do të zhvillohet dhe funeral i Kacifas, flamuj të tillë nuk kanë munguar.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat