Rama do t'ia dërgojë sërish sot Metës, emrin e Lleshit për ministër - Bota Sot
Rama do t'ia dërgojë sërish sot Metës, emrin e Lleshit për ministër

Shqipëria

Rama do t'ia dërgojë sërish sot Metës, emrin e Lleshit për ministër

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 09:05
Edi Rama

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi të enjten në mbrëmje se sot do t’i dërgojë sërish presidentit Ilir Meta propozimin për emërimin e gjeneralit Sandër Lleshi si ministër i Brendshëm, shkruan sot Zëri i Amerikës. Këtë deklaratë ai bëri gjatë emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në televizionin Vizion Plus. Zoti Rama tha se propozimin e tij do ta shoqërojë “me një relacion shpjegues të mirë argumentuar, bazuar në procedurë, dhe në traditën e krijuar nga presidenti, për hir të së vërtetës, që në rastin e negociatave më Greqinë për plotfuqishmërinë, ka dërguar shkresa shumë serioze dhe shumë të detajuara që e kanë ndihmuar shumë procesin. Në këtë traditë, do t’i çoj nesër presidentit një shkresë shpjeguese të detajuar dhe do t’i japim presidentit mundësinë që të krijojë bindjen e plotë e të rifutemi në binarët e kushtetutës. Ky precedent nuk mund të krijohet dhe nuk ka pse të krijohet”, tha kryeministri.

Zoti Rama paralajmëroi gjithashtu se në ditët e ardhshme qeveria do t’i drejtohet dhe Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të kësaj çështje. Ndonëse kjo Gjykatë është jashtë funksionit, kryeministri tha se në momentin që ajo do të plotësohet me anëtarë “shpresoj në pranverën e ardhshme” mund ta marrë në shqyrtim dhe “të sqarojë një herë e mirë dhe këtë aspekt”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...