Shpëtim Idrizi: Dje pushoi së ekzistuari shteti shqiptar

Shqipëria

Shpëtim Idrizi: Dje pushoi së ekzistuari shteti shqiptar

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 13:00
Shpëtim Idrizi

Në një deklaratë për mediat kryetari i PDIU deklaroi se dje në territorin e Shqipërisë shteti shqiptar pushoi së ekzistuari ndërsa kërkoi me urgjencë të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Duke komentuar thirrjet e bërë nga grekët, Idrizi u përgjigj: “Ka vetëm një Epir dhe është ai i Pirros së Epirit, krahina shekullore e Çamërisë”.

Deklarata e Idrizit:

Kemi heshtur deri tani duke u munduar shumë të respektojmë kodin e të vdekurit. Kemi heshtur gjithë këto ditë për keqpërdorimin që i është bërë një akti terrorist që do ndëshkohej nga policia e çdo vendi të botës, të një njeriu që e përdorën në jetë dhe e përdorën edhe në vdekje.

Kemi heshtur këto ditë dhe nuk ua rikujtuam atë që e kemi thënë me vite me zë të fortë: Varrezat e ushtarëve grekë të rënë si pushtues në Shqipëri dhe bërja e tyre varrezë historike me ceremonial shtetëror, do të bëhej vend pelegrinazhi dhe pikënisje incidentesh për të avancuar pretendimet territoriale të Vorio Epirit.

Kemi parë me shqetesim dhe indinjatë stinën e marrveshjeve nën tavolinë, politikën pa dinjitet e resiprocitet të politikës shqiptar, servilizmin dhe vasalitetin përballë shtetit grek. Shteti Grek qe mban prej 78 vitesh ligjin e turpshëm te Luftës me Shqipërinë nuk njeh genocidin e shqiptarëve të Çamërisë dhe ende nuk njeh as shtetin e Kosovës. Fatkeqësisht koha na dha të drejtë e sot ne nuk mund të heshtim më.

Dje u gjendëm përballë shfaqjes së turpshme për shtetin shqiptar e për cilindo shqiptar, atë të cënimit të integritetit territorial të vendit. Dje në territorin e Shqipërisë shteti shqiptar pushoi së ekzistuari dhe ne u detyruam të shihnim shfaqjen e thirrjet nacionaliste të ithtarëve të Vorio Epirit : “Sëpatë dhe zjarr ndaj qenve shqiptarë”. Gjaku na thërret të djegim shqiptarin, Vorio – Epiri është Greqi.

Thirrje raciste u shoqëruan me veprime të dhunshme ndaj gazetarëve shqiptarë si dhe me bllokimin e rrugëve nacionale. Turp për ata deputetë shqiptarë e grekë që u bashkuan në nderimin e një terroristi të keqpërdorur.

Thirrjet e atyre që guxuan të revokonin dje Vorio Epirin, sot po u përgjigjemi ne: Ka vetëm një Epir dhe është ai i Pirros së Epirit, krahina shekullore e Çamërisë. PDIU dhe Shoqata Patriotike Çamëria kërkojnë sot me forcë të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të vënë urgjentisht në alarm institucionet e Sigurisë Kombëtare, SHISH, SHIU, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, për këtë ngjarje por dhe për financimet sekrete greke për një pjesë të mediave , OJF dhe bizneseve.

Ju kujtojmë shqiptarëve që Këshilli i Sigurisë Kombëtare është mbledhur herën e fundit për çështjen e Balilit. Është e papranueshme dhe indinjuese për të gjithë ne shqiptarët që të shohim rënien e shtetit në Jugun e Shqipërisë. Ngjarje të tilla shqiptaret i kanë parë në vitin 1914, në vitin 1940, në vitin 1997, por kurrë nuk mund të pranojnë t’i shohin të përsëritura në vitin 2018. I drejtohem sot shtetit shqiptar që: nëse nuk e vendosni dot autoritetin e shtetit për garantimin e integritetit territorial të Shqipërisë, detyrë që rrjedh nga Kushtetuta e vendit, na thoni se do ta mbrojmë vetë ne shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat