Përjashtimi nga taksa për rrogën, Ekspertët kundër propozimit të PS: Bëhet për zgjedhjet

Shqipëria

Përjashtimi nga taksa për rrogën, Ekspertët kundër propozimit të PS: Bëhet për zgjedhjet

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 22:24
Ajo që sugjerojne ekspertët është rishikimi i normës së tatimit pasi aktualisht është shumë e lartë

Ekspertët e ekonomisë e shohin si një hap të gabuar propozimin e bërë nga deputetët e mazhorancës për të zgjeruar kufirin e pagave të patatueshme.

Selami Xhepa e quan këtë si një joshje në prag të zgjedhjeve që në fakt përçon mesazh të gabuar tek taksapaguesit, duke përjashtuar një pjesë të madhe nga detyrimi qytetatar për të paguar taksa e duke ndëshkuar një pjesë tjetër edhe më shumë.

“Edhe sot me normën e përjashtimit 30 mijë Lekë, gjysma e qytetarëve janë jashtë sistemit të taksave. Ngritja e kufirit çon në atë ku 60 përqind e popullsisë do të përjashtohet nga pagesa e taksave. Pra s’do bëjmë gjë tjetër, do marrim vetëm taksa nga 40 përqind e shoqërisë për t’i shërbyer 100% shoqërisë”, thotë Selami Xhepa.

Ajo që sugjerojne ekspertët është rishikimi i normës së tatimit pasi aktualisht është shumë e lartë. Shqipëria ka tatimin më të lartë në rajon, 23 % për paga mbi 130.000 Lekë. Një taksë më e lartë se çdo biznes në vend.

Në kohën kur në Shqipëri nuk ka një minimum jetik, qeveria sipas ekspertëve  duhet të marrë si të tillë pagat minimale dhe vetëm për këtë mos të ketë tatim, ndërsa për pagat e tjera duhet të ketë taksim por jo në masën që është sot.

“Çdo e ardhur maksimale nuk mund të tatohet më shumë se fitimi i biznesit, nuk duhet të jetë më shumë se 15 përqind ne e kemi 23 përqind pagat e larta”.

Vetë ministri Arben Ahmetaj u shpreh direkt kundër këtij propozimi të bërë nga deputetët Gjylameti dhe Braçe, por mbetet për t’u parë deri në votimin në parlament të paketës së re fiskale nëse do të miratohet zgjerimi i kufirit të pagave të patatueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat