Dënohet Emiljano Shullazi

Shqipëria

Dënohet Emiljano Shullazi

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 17:09
Emiljano Shullazi

14 vjet burg ka dhënë Gjykata për Krime të Rënda për Emiljano Shullazin, të akuzuar për një sërë veprash penale, mes të cilave edhe gjobvënia.

Emiljano Shullazi është shpallur i pafajshëm për disa nga veprat penale që rëndonin ndaj tij.

Vendimi u mor këtë të martë për të gjithë anëtarët e bandës së kryesuar prej tij, të cilët u njohën me dënimet respektive.

Ndërkohë krahu i tij i "djathtë" Gilmando Dani do ta kalojë 12 vitet e ardhshme në qeli ashtu si Shullazi. Një dënim prej 10 vitesh i është dhe Endri Qyqes, një tjetër emër i njohur për grupin e Shullazit.

Emiljano Shullazi u shpall i pafajshëm për akuzat e shkatërrimit të pronës me eksploziv në dy raste, gjithashtu ai ka marrë pafajësi edhe sa i përket akuzës së kanosjes së dy profesorëve Mynyr Koni de Dhori Kule. Shullazi u shpall i pafajshëm edhe në një rast të akuzës së gjobvënies.

Në një prononcim për median menjëherë pas leximit të vendimit avokati tha se duhej të binin poshtë të gjitha akuzat, ndërsa paralajmëroi se do t'i drejtohen Gjykatës së Apelit për të ankimuar vendimin.

"Fatkeqësia e kësaj gjykate është që nuk i shpëton dot presionit, dhe së dyti në fushën penale që operojnë nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin mes të drejtës civile, administrative dhe penale, kështu që e konsideroj një konflikt të pastër civil. Do e çojmë në Apel këtë vendim", tha avokati Valdimir Meçe.

Më 2 tetor Prokurorët kërkuan në total 64 vite burg për të gjithë të akuzuarit, ndërsa avokatët e 5 të pandehurve kanë kërkuar gjithmonë pafajësinë për klientët e tyre.

Për Emiljano Shullazin, i cili është cilësuar si kreu i grupit të strukturuar kriminal, prokuroria kërkonte 17 vjet burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat