Porti i Durrësit, pikë strategjike rajonale për lëvizjen e mallrave

Shqipëria

Porti i Durrësit, pikë strategjike rajonale për lëvizjen e mallrave

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 12:57
Porti i Durrësit

Porti i Durrësit pritet të shndërrohet në një pikë strategjike për transportin e mallrave, jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë rajonin.

Kështu theksoi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i cili mori pjesë në aktivitetin e organizuar së bashku me ambasadën norvegjeze mëngjesin e së premtes në Tiranë me fokus, Marina detare.

“Në infrastrukturën portuale qeveria po bën ndërhyrje të rëndësishme. Po rikonstruktohet Porti i Vlorës, dhe po thellohet porti i Durrësit. Kemi fituar një grant nga Bashkimi Europian, dhe shume shpejt do te kemi investime të rëndësishme në portin e Durrësit. Kjo do të bëjë që kapacitetet përpunuese të rriten”.

“Qeveria po bën investime të rëndësishme në infrastrukturën rrugore dhe së shpejti do të ketë investime edhe në infrastrukturën hekurudhore. Do të ndërtojmë linjën hekurudhore me Malin e Zi. Të gjitha këto investime janë në harmoni, infrastruktura rrugore, hekurudhore dhe ajo detare. Në këtë mënyrë do t’i japim një perspektivë të re Portit të Durrësit, duke e kthyer në një port për tregjet, jo vetëm shqiptare, por edhe rajonale. Kjo, sepse Shqipëria ka një pozitë gjeografike për tu kthyer në një nyje lidhëse, mes detit dhe tokës, për vendet e rajonit. Për këto projekte madhore, kemi mbështetjen dhe eksperiencën norvegjeze”, transmeton atsh.

Projekti “Zhvillimi i sektorit detar” u prezantua sot në Tiranë. Ai do të financohet nga Qeveria e Norvegjisë dhe zbatohet nga PNUD-i në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Projekti synon rritjen e integrimit të Standardeve Detare Shqiptare në përputhje me kritere e BE-së përmes krijimit të një kuadri politikash të transportit detar. Gjithashtu, qeveria e Norvegjisë mbështet edhe një tjetër projekt të dytë me përfitues Universitetin e Vlorës dhe atë të Durrësit, me fokus edukimin dhe programet e studimit në lidhje me transportin detar. Të dy projektet mundësohen në sajë të mbështetjes me rreth 1.4 milion euro nga qeveria e Norvegjisë.

Ministri Damian Gjiknuri tha se kompani të huaja kanë shprehur interes për të ndërtuar porte private në Shqipëri.

“Ka interes edhe për ndërtimin e porteve private, buxheti i shtetit nuk i kryen dot këto investime. Ka pasur interes të madh, madje në një fazë të avancuar, për ndërtimin e porteve private, siç mund të jetë porti i Karpenit, për të cilin bisedimet janë në një fazë të avancuar”, tha ai.

Një tjetër burim të ardhurash për ekonominë përmes detit, pritet të jete edhe nëntoka. Ministri i Infrastrukturës zbuloi se kompani të huaj duan të eksplorojnë detin shqiptar.

“Ka interes nga kompani të huaj për të eksploruar detin shqiptar, shumë shpejt Shqipëria do të hapë ankande. Edhe në vendet fqinje ky aktivitet është i zhvilluar, në detin Adriatik por edhe në detin Jon. Eksperienca norvegjeze do të na ndihmoje shumë”.

Ministria e Infrastrukturës po bashkëpunon me Bankën Botërore për të rritur kontrollin e trafikut detar.

“Ne po punojmë me Bankën Botërore me një projekt që ka të bëjë me kontrollin e hapësirës ekonomike të detit shqiptar, për menaxhimin e trafikut siç ndodh në të gjitha vendet, por ne për fat të keq, akoma nuk e kemi. Ky projekt do të kushtoje rreth 9-10 milionë dollarë. Ky aktivitet do të gjenerojë shumë të ardhura, por do të organizoje edhe më mirë trafikun në det”, tha Gjiknuri.

Qeveria Norvegjeze do të mbështesë Shqipërinë me një fond 1,4 milionë euro duke dhënë  asistencë teknike për të përafruar legjislacionin e sektorit detar me atë të BE, por dhe për të mbështetur Universitetin e Vlorës, degën e marinës detare për të furnizuar këtë sektor me burime njerëzore.

“Kjo mbështetje nga qeveria Norvegjeze do të mundësojë reformimin e këtij sektori, duke i dhënë një mbështetje edhe Universitetit të Vlorës, pikërisht për zhvillimin e marinës detare. Duke përgatitur njerëz të cilët do të merren me këtë sektor. Por këtu nuk do të mungojë edhe asistenca që do t’u jepet autoriteteve shqiptare në lidhje me industrinë detare”, tha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.

Ambasadori i Norvegjisë për Kosovën dhe Shqipërinë Per Strand Sjaastad tha se: “Industritë detare mund të jenë një sektor i ri zhvillimi në Shqipëri. Unë mbështes autoritetet shqiptare që e kanë shndërruar këtë në një prioritet për vendin. Norvegjia është një prej shteteve udhëheqëse detare në botë. Ne jemi të gatshëm ta asistojmë Shqipërinë në zhvillimin e sektorit të saj detar. Gjatë fazës së parë do të përqendrohemi tek aftësitë dhe ngritja e kapaciteteve të autoriteteve publike detare, arsimi dhe programet e studimit, si dhe te grumbullimi i të dhënave detare, si bazë e zhvillimit ekonomik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat