Ahmetaj reagon ndaj PD-së: Asnjë ndryshim të kasave fiskale të biznesit

Shqipëria

Ahmetaj reagon ndaj PD-së: Asnjë ndryshim të kasave fiskale të biznesit

Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 16:29
Arben Ahmetaj

“Nuk ka asnjë VKM për ndryshimin e kasave fiskale”, tha ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj duke iu përgjigjur deklaratës së PD-së e cila pretendon se sistemi i ri detyron bizneset të heqin kasën fiskale dhe të blejnë një të re.

Në reagimin e tij, ministri i Financave dhe Ekonomisë Ahmetaj shton se “forcojmë sistemet e kontrollit të sasive të hidrokarbureve, në favor të qytetarëve dhe buxhetit! Shumë tipike e PD, deklarata e përsëritur për të disatën herë e “ekspertit X”, që në rastin më të mirë është shfaqje paditurie të thellë, e në rastin më të keq, që është dhe më i mundur, dezinformim me dashje i qytetarëve. Është humbje kohe t’u kthesh përgjigje për çdo budallallëk!”.

Po ashtu, Ahmetaj shpjegon se për qytetarët që meritojnë të sqarohen, Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 651, datë 31.10.2018, nuk ka të bëjë aspak me kasat fiskale të bizneseve, por lidhet vetëm me sistemet fiskale për kontrollin e sasive në shoqëritë e hidrokarbureve dhe të shitjes së tyre me pakicë. “Së pari, ka një ndryshim thelbësor mes “sistemeve fiskale” dhe “kasave fiskale” dhe së dyti, efekti i kësaj VKM-je shtrihet vetëm mbi rreth 3 mijë sisteme fiskale të lidhura me sektorin hidrokarbur dhe aspak mbi rreth 145 mijë kasa apo pajisje fiskale që përdoren nga bizneset e tjerë në Republikën e Shqipërisë”, thotë ai.

Më tej, ministri Ahmetaj shton se “Vetëm “eksperti X” i PD nuk e lexon dot atë që është e shkruar e zeza mbi të bardhë, ose për meritën e tij, nuk arrin ta kuptojë.Ky standard i ri që aplikohet për shoqëritë e hidrokarbureve, është një hap më tej për forcimin e kontrollit dhe të monitorimit të këtij sektori të rëndësishëm duke mbyllur hapësirat potenciale për evazion. Monitorimi i depozitave të tregtuesve me shumicë do të behët në mënyrë automatike duke raportuar sasinë e karburantit periodikisht si dhe duke rakorduar hyrje-daljet në të . Po kështu mundësohet monitorimi i depozitave të pikave fundore të shitjes së karburantit si dhe raportimi në kohë reale i shitjeve fundore të tyre. Në këtë mënyrë, bëhet një monitorim i plotë i lëvizjeve të sasive të karburantit dhe një rakordim më i saktë i sasive të tregtuara në vend në kohë reale!”

Gjithashtu Ahmetaj shprehet se “këto ndryshime, janë një instrument i duhur në favor të administratës fiskale, për të adresuar më mirë administrimin e një sektori shumë të rëndësishëm për të ardhurat publike”. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat