KED, dorëzohen listat e treta në Presidencë. Shorti, më 1-5 dhjetor

Shqipëria

KED, dorëzohen listat e treta në Presidencë. Shorti, më 1-5 dhjetor

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 11:07
Presidenca

Në Presidencë janë dorëzuar këtë të hënë listat e treta me kandidatët për në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, për të cilin kreu i Shtetit duhet të hedhë short në periudhën nga data 1 deri më 5 dhjetor.

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka dorëzuar dy lista në Presidencë, ku në njërën janë vetëm emri i saj dhe Fatjona Memçajt, me argumentin se vetëm këto plotësojnë të gjitha kriteret; ndërsa në listën e dytë janë 37 emra prokurorësh, të cilët ndonëse plotësojnë të gjitha kriteret nuk kanë Shkollë Magjistrature.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka depozituar dy emra për po kaq vende, Bashkim Dedjen dhe Vitore Tushën, kurse Gjykata e Lartë ka depozituar 3 emra: Ardian Dvorani, Edmond Islamaj dhe Medi Bici. Bie në sy fakti që kreu i kësaj gjykate, Xhezair Zaganjori nuk e ka dërguar emrin e tij për në KED, teksa dy emrat e parë të kësaj liste kanë kandiduar edhe për në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka propozuar asnjë kandidat në Presidencë.

Burime të Top Channel theksojnë se, pavarësisht afatit 1-5 dhjetor, presidenti Meta nuk do ta hedhë as këtë vit shortin, siç nuk e bëri edhe në 2017-n, sepse nuk janë ngritur ende KLGJ-ja dhe KLP-ja.

Gjithsesi, në rast se Meta refuzon, atëherë nga 6 dhjetori e drejta për hedhjen e shortit i kalon Kuvendit. Gjithnjë nëse ngrihet, detyra e parë e KED-së do të jetë plotësimi i 5 vendeve bosh në Gjykatën Kushtetuese.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat