Vettingu në politikë; Ekspertët e Venecias takojnë opozitën dhe socialistët

Shqipëria

Vettingu në politikë; Ekspertët e Venecias takojnë opozitën dhe socialistët

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 18:18
Pamje nga video

Ekspertët e Komisionit të Venecias nisën misionin e tyre dy ditor në Tiranë në Kryesinë e Kuvendit, institucioni, i cili u kërkoi mendim për nismën e opozitës për vettingun e politikanëve.

Në takimin me nënkryetaren e Kuvendit, reporterët e Venecias kërkuan të mësojnë qëndrimin e mazhorancës lidhur me nismën ligjore të demokratëve, por nënkryetarja Vasilika Hysi i bëri të qartë se të majtët po presin opinionin e tyre.

Takimet me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës u zhvilluan të ndara, por kur dyert e takimit u hapën palët lanë të kuptohet se nuk kishin lëshuar nga pozicioni i tyre. Demokratët akuzuan të majtët për standard të dyfishtë.

“Nuk duhet të ketë dy standarde, por ai që zbatohet për prokurorët dhe gjyqtarët të aplikohet edhe për politikanët kur flasim për lidhje me botën e krimit të organizuar. Ne shpjeguam që asnjë reformë nuk do të ketë sukses nëse nuk do të shkëputen lidhjet e politikës me krimin”, u shpreh Spaho.

Replika e socialistëve me kundërshtarin politik nuk vonoi. Ulsi Manja përfaqësoi të majtët në takim në vend të Taulant Ballës. Socialisti nuk harroi të thumbojë demokratët për qëndrimin e Lulzim Bashës.

“Ne e mirëpresim opinionin e Venecias, si tabani i demokracisë. Pak më parë pash që pati reagim nga opozita. Ata u shprehën se takimi me komisionin e Venecias ka qenë frytdhënës. Në fakt më bëri çudi se nuk di kujt t’i besoj, asaj që tha Spaho sot, apo asaj që tha dje Basha nga Berati; ‘Nuk e di se pse vjen Venecia’. Opozita vazhdon të jetë inkoherente sa herë që bëhet fjalë për Komisionin e Venecias”, tha Manja.

Gjatë misionit të tyre dy ditor në Tiranë ekspertët e Venecias do të përfshihen në diskutime me të gjithë aktorët politik. Sot ata u takuan edhe me presidentit e republikës dhe përfaqësues të ekzekutivit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat