Europianizim mendor dhe shpirtëror i Shqipërisë

Shqipëria

Europianizim mendor dhe shpirtëror i Shqipërisë

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 16:22
Pamje nga aktiviteti

“Europa, nuk fillon në Vjenë, as në Berlin, Paris, Bruksel e Romë por ajo fillon tek pragu i shtëpisë së secilit prej nesh që jeton në në Shqipëri, në Austri, Gjermani, Francë e Belgjikë”.

Me një fjalim prekës, deputeti socialist, Fate Velaj tha gjatë seancës plenare në Cosac në Vjenë përpara deputetëve në parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian se ndërsa shqiptarët presin të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, qeveria ka përmbushur me sukses sugjerimet si dhe kriteret e vendosura pa të cilat, anëtarësimi i Shqipërisë nuk do të mund të ishte kaq pranë.

“Qeveria e Edi Ramës, përveç kërkesave tuaja legjitime, ka marrë dhe një rol tjetër e që është tejet i duhur në këtë kohë ndryshimesh të mëdha, siç është dhe europianizimi mendor e shpirtëror i vendit, pasi për mendimin tim, Europa, nuk fillon në Vjenë, as në Berlin, Paris, Bruksel e Romë. Europa fillon tek pragu i shtëpisë së secilit prej nesh që jeton në Shqipëri, por edhe atyre që jetojnë në Austri, Gjermani, Francë e Belgjikë. Por, qeveria Rama, ka kryer dhe reforma të rëndësishme në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar”, -tha Velaj përpara deputetëve të vendeve anëtare në BE.

Më tej, ai e konsideroi një kënaqësi të veçantë për fjalën e mbajtur në seancën plenare në Vjenë dhe falënderoi për ndihmën e dhënë Shqipërisë për të përparuar drejt procesit të integrimit në BE.

“Në emër të atyre që presin të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian, shqiptarëve, unë dua t’ju falënderoj për ndihmën e dhënë deri më sot pa të cilën, nuk do i kishim bërë kaq shumë hapa për tek ju. Dhe, unë jam më se i sigurt të nderuara zonja dhe zotërinj se ne, i kemi përmbushur me sukses sugjerimet si dhe kriteret që ju na keni vendosur pa të cilat, ardhja jonë kaq pranë jush, nuk mund të ishte kaq e sigurt”, përfundoi Velaj. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat