Sheshi ‘Shqiponja’ do jetë gjysmë unaze, ja ç’do ndodhë me trafikun te Unaza e Re

Shqipëria

Sheshi ‘Shqiponja’ do jetë gjysmë unaze, ja ç’do ndodhë me trafikun te Unaza e Re

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 13:06
Afrim Qendro

Në kuadër të projektit për Unazën e Re, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Bashkia e Tiranës dhe Policia Rrugore kanë hartuar një plan për menaxhimin e trafikut në këtë zonë ku do të kryhen punime.

Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Afrim Qendro, drejtor i ARRSH-së bëri me dije se duke nisur nga muaji janar, aksi duke nisur nga Dogana dhe deri tek Shkolla Teknologjike do të jetë me tre korsi. Ai po ashtu bëri me dije se sheshi ‘Shqiponja’ nuk do të jetë më rreth-rrotullim, por një gjysmë-unaze.

Ai shtoi se rreth-rrotullimi do të jetë tek kthesa e Kamzës.

“Ne do të fillojmë me kantierin. Kantieri ka dy faza. Ne kemi ditë që po punojmë me policinë dhe sektorin e transportit në Bashkinë e Tiranës. Kemi pasur dhe bashkëpunim me inxhinierët e kompanive. Ku qëndron plani i menaxhimit të trafikut? Do ketë tre korsi, në ikje dhe në ardhje, duke nisur nga muaji janar. Do funksionojnë të gjithë semaforët. Tek sheshi ‘Shqiponja’ nuk do e kemi më rrethrrotullim, por do kemi një gjysmë unazë. Kur vjen nga unaza nuk mund të rrotullohesh në vend, por do shkosh deri tek ‘Casa Italia’. Në asnjë moment trafiku për përdoruesit e rrugës dhe qytetarët, s’do jetë i bllokuar gjatë kësaj kohe që do bëhet projekti. Do ketë një vështirësi trafiku dhe për këtë policia ka marrë të gjitha masat”, tha Qendro.

Po ashtu Qendro teksa u ndal tek dëmshpërblimi i qytetarëve, të cilët prej disa ditësh protestojnë, tha se do të bëhen të gjitha vlerësimet e objekteve.

“Ka shumë objekte që nga verifikimi mund të riformatohen. Në këto raste në bazë të ligjit do të bëjmë vlerësim bashkë me qytetarët të objektit, ku do të jepet aprovim që kjo banesë mund të qëndrojë në këmbë, që do të thotë pjesa që preket do të prishet dhe pjesa që mbetet do të vijojë të qëndrojë. Por kjo do të jepet nga inxhinieri. Nuk do të skualifikohet pjesa që mbetet, por do të ketë një rivlerësim të godinës nga inxhineri në bashkëpunim me hipotekën”,pohoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat