Mesi në Bruksel për reformat në administratën publike

Shqipëria

Mesi në Bruksel për reformat në administratën publike

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 19:22
Mesi në Bruksel për reformat në administratën publike

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi mori pjesë në Ministerialin e 9-të të Bordit Drejtues të Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA), në Bruksel.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësuesit më të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që mbulojnë reformën në administratën publike, menaxhimin e financave publike dhe integrimin europian; partnerë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga Komisioni Europian, OECD/SIGMA dhe organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.

Gjatë kësaj konference, Mesi theksoi faktin se kjo platformë i shërben direkt çdo vendi pjesëmarrës në rrugën e integrimit evropian dhe ndihmon rajonin ta bëjë atë një zonë shumë më të mirë për qytetarët tanë.

Teksa u ndal tek reforma në administratë publike në vendin tonë, Znj. Mesi shprehu gatishmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për ta çuar akoma më përpara këtë proces historik në favor të qytetarëve shqiptarë.

Mesi: Depolitizimi, meritokracia, profesionalizmi dhe programet e trajnimit për nëpunësit janë fusha ku kemi bazuar punën tonë, për të cilat besojmë fuqishëm se do të kontribuojnë direkt në plotësimin e pritshmërive të qytetarëve tanë në marrjen e shërbimeve publike.

Gjatë vizitës në Bruksel, Zëvëndëskryeministrja Mesi zhvilloi një takim gjithashtu me Drejtorin e Përgjithshëm për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit në Bashkimin Europian, Christian Danielsson.

Në fokus të takimit ishte perspektiva europiane e Shqipërisë, rëndësia e bashkëpunimit rajonal, si dhe thellimi i mëtejshëm të tij në të mirë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat