Lidhje me krimin dhe deklarim të rremë, KPK vë me “shpatulla pas murit” prokurorin

Shqipëria

Lidhje me krimin dhe deklarim të rremë, KPK vë me “shpatulla pas murit” prokurorin

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 13:31
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

I përfshirë me krimin dhe ka fshehur pasurinë, këto ishin dy nga konstatimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin e Tiranës, Shpëtim Kurti, për të cilin, hetimi është kryer vetëm në dy kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Në fillim, tha Lulzim Hamitaj, relatori i çështjes, hetimi për prokurorin është kryer vetëm në kriterin e pasurisë, por me kërkesën e Kurtit, në 4 korrik të 2018-ës, KPK ka rihapur hetimin, duke hetuar për pastërtinë e figurës, për të cilën është konstatuar si i papërshtatshëm. “Hetimi është kryer vetëm në dy kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Theksojmë se, pas disa muajsh hetime, KPK ka mbyllur hetimin për prokurorin, vetëm në kriterin e pasurisë. Në korrik, Komisioni e ka hapur sërish me kërkesë të prokurorit, duke kryer edhe një hetim tjetër për pastërtinë e figurës”, tha relatori.

Pastërtia e figurës

Në lidhje me kriterin e pastërtisë së figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport me konstatimin se Kurti, është i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës, ndërsa argumenton se ai ka pasur kontakte me një person, i cili ka qenë i proceduar penalisht dhe është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 5 vite burg. “DSIK ka konstatuar se subjekti ka pasur kontakte të papërshtatshme, në më shumë se një rast. Dyshohet se ky subjekt ka dyshime se mund të përfshihet në krimin e organizuar. Për këtë, konstatohet papërshtatshmëria e tij. DSIK, ka përcjellë një raport tjetër të përditësuar, sipas këtyre raporteve, konstatohej se subjekti, ka pasur kontakte me persona të proceduar”, tha Hamitaj. Ndërkohë, në lidhje me këtë kriter, Komisioni ka marrë në konsideratë edhe 3 denoncime të mbërritura. Në denoncimin e parë, thuhet prokurori është i korruptuar dhe se është pjesë e një grupi kriminal të trafikut të njerëzve. Në denoncimin e dytë, thuhej sërish se prokurori është i korruptuar dhe se ka lidhje me krimin. Ndërkohë në denoncimin e 3, thuhej se ka lidhje me krimin, kryesisht të personit me iniciale H.M. dhe se ka ndihmuar në mbylljen e proceseve ndaj tij. Për të verifikuar këto ankesa, KPK, ka marrë dosjet hetimore të grupit, pjesë e të cilit ka qenë edhe shtetasi H.M..

Dosjet e hetuara

Së pari, Komisioni ka shqyrtuar dosjen numër 8, të vitit 2006, e hetuar fillimisht, për rreth një vit, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe e kaluar për kompetencë në Prokurorinë e Gjirokastrës, ku edhe çështja është pushuar përfundimisht. Në kuadër të hetimeve dhe përgjimeve të bëra grupit, ndër të tjera, tha relatori, ka ekzistuar edhe një mesazh, i dërguar nga H.M., te një person tjetër me tekstin: Shpëtim Kurti dhe një numër telefoni. Së dyti, Komisioni ka shqyrtuar edhe një dosje të vitit 2013, e hetuar sërish nga Krimet e Rënda, për t’u kaluar më vonë në Prokurorinë e Tiranës, pasi nuk ishte vërtetuar akuza e “Grupit të strukturuar”. Në shtator të 2013-ës, Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penale për shtetasin H.M., ndërsa pas hetimit ky shtetas dhe persona të tjerë, janë dërguar në gjykatë. H.M, është dënuar me 5 vite burg, ndërsa nga shqyrtimi i bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, është konstatuar se, prokurori i çështjes, ka kryer hetime të cunguara për dosjen në fjalë. Ndërkohë, ka kërkuar kthimin e sendeve personale, konkretisht të tre telefonave, si objekte që nuk përkisnin të pandehurit. Relatori Lulzim Hamitaj, theksoi se hetimi për këtë dosje, është pasiv dhe jo efikas, ndërsa shtoi se prokurori i çështjes, ka kërkuar dënimin minimal të të pandehurit, me argumentin se ata kishin shfaqur pendesë. Por nga fashikujt e dosjes, nuk rezulton që të pandehurit të kenë shfaqur pendesë. Për sa më sipër, relatori i çështjes, ngriti dyshime se prokurori mund të ketë ndikuar në proceset hetimore, por nuk ka prova për këtë. Nga ana tjetër, prokurori i Tiranës, tha se e ka takuar H.M., por ka qenë rastësisht dhe se, në atë kohë, ky shtetas nuk ka qenë i proceduar penalisht. Ndërkohë, edhe për gjetjet e tjera, në lidhje me pasurinë dhe jo vetëm, prokurori i mohoi, ndërsa tha se ishte i bindur se pasi të shqyrtohen provat dhe materiali që ai ka dorëzuar, KPK do t’a konfirmonte në detyrë.

Dokumenti i rremë

Ashtu si në kriterin e pastërtisë së figurës, edhe në kriterin e pasurisë, prokurori Shpëtim Kurti, rezultoi me probleme, ndërsa u hodhën dyshime edhe për pasurinë e vëllait dhe babait të tij. Ndërkohë që ka qenë ONM, e cila këtë herë ka bërë një gjetje, në lidhje me një dokument provues të sjell nga prokurori për të vërtetuar fitmet e të vëllait të tij. Ky dokument, rezulton se është lëshuar nga një kompani, ku supozohet të kishte punuar vëllai i prokurorit, por nga një përgjigje të marrë nga ONM dhe dorëzuar pranë Komisionit, thuhet se ajo shkresë nuk është lëshuar prej tyre dhe se ata nuk kanë pasur asnjë punonjës me të dhënat e të vëllait të subjektit. Më tej, relatori i çështjes tha se probleme janë konstatuar edhe me pasurinë e babait të subjektit, i cili edhe pse prej vitesh në pension, në vitin 2004, ka porositur një apartament për 59 mijë euro dhe një garazh, për të cilin e ka paguar shumën disa ditë më vonë. “Në lidhje me hetimet për babanë e subjektit, ka rezultuar se babai ka blerë një apartament në datën 15 tetor 2004, Për 59 mijë euro. Për blerjen e këtyre pasurive, rezulton se nuk ka pasur burime të ligjshme, ndërsa brenda pak muajsh ka paguar blerjen e garazhit në të njëjtën adresë. Rezulton se, ai nuk ka qenë në marrëdhënie pune, por rezulton se të jetë në pension. Është deklaruar se, këto pasuri i ka krijuara nga kursimet e djalit tjetër”, tha Lulzim Hamitaj. Gjithashtu, në pronësinë e prokurorit, rezulton edhe një truall në Shijak, me burim krijimi, shitja e banesës në Tiranë, vëllait të tij, në shumën e 10 milionë lekëve. Por, nga verifikimet, rezulton se në vitin 2011, vëllai nuk ka pasur të ardhura për të blerë apartamentin. Ndërkohë, për një apartament në Has, i cili është fituar nga një kredi për të pastrehë, Komisioni tha se ka mospërputhje sa i takon faktin se në fillim është deklaruar kryefamiljar vetë prokurori, ndërsa një muaj më vonë, është ndryshuar dhe vendosur babai i tij. Gjithashtu, për Komisionin, kjo subjekti nuk duhet të kishte përfituar nga kjo kredi, pasi në bazë të ligjit ai nuk e merrte dot, pasi ka përfituar tokë, nga ligji 7501.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat