15 femrat e fuqishme të biznesit në Shqipëri, kush e rrëmbeu kurorën

Shqipëria

15 femrat e fuqishme të biznesit në Shqipëri, kush e rrëmbeu kurorën

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 09:31
Në listë janë sipërmarrëse të suksesshme prej vitesh, si Vilma Nushi, Donika Mici, Merita Sheqi, Eleni Babameto, Donika Gega

Cilat janë femrat më të mëdha sipërmarrëse në Shqipëri, sipas qarkullimit vjetor. Në renditjen e 2017-s ndryshon vendi i parë pas tre vjetësh. Cilat janë bizneset e udhëhequra nga gra që fitojnë më shumë

Të vetme, apo përkrah bashkëshortëve, ato po ia dalin. Edhe pse në pjesën më të madhe duhet të kënaqen me fitime minimale, nuk heqin dorë. Janë më të tërhequra, më korrekte dhe nuk priren të bëjnë korrupsion. Femrat në pronësi të bizneseve të mëdha në Shqipëri janë të pakta dhe thonë se, në një shoqëri maskiliste, nuk ndiejnë të kenë ndonjë përparësi në biznes.

Shumë prej tyre preferojnë të mbajnë profil të ulët, edhe pse kanë një rol të rëndësishëm në punësim. Nuk janë të njohura në publik, (shumë prej tyre nuk pranuan të sillnin foto dhe as t’i përgjigjeshin pyetjes sa e vështirë është të jesh sipërmarrëse në Shqipëri), por kjo nuk i ka penguar të jenë në suksesshme në bizneset që kanë në pronësi.

“Monitor” ka përpunuar për të katërtin vit radhazi të dhënat e kompanive më të mëdha në Shqipëri, sipas qarkullimit vjetor, duke hartuar listën e 43 femrave më të mëdha sipas qarkullimit vjetor. Në renditje janë përfshirë bizneset, që kanë të paktën një aksionere femër me minimumi 30% të aksioneve. Renditja është hartuar sipas xhiros totale të bizneseve, pavarësisht përqindjes që zotërojnë aksioneret femra.

Në listë janë sipërmarrëse të suksesshme prej vitesh, si Vilma Nushi, Donika Mici, Merita Sheqi, Eleni Babameto, Donika Gega, teksa sipërmarrëse të reja hyjnë vazhdimisht në listë.

Sektorë të preferuar janë tregtia, media, farmaceutika, agjencitë turistike, por nuk mungojnë as sipërmarrëse në biznese si tregtimi i naftës.
Po cilat janë sipërmarrëset më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor dhe sa fitojnë bizneset në pronësi të tyre? (shih dhe tabelën në fund).

1. Vilma Nushi

Anisa Skëndaj, e cila prej tre vitesh qëndronte në krye të listës së sipërmarrëseve femra më të mëdha, sipas qarkullimit vjetor, ka shitur aksionet që zotëronte në Info Telekom (60%), DIGICom (40%) dhe Professional Marketing Albania (30%) tek ortaku i saj, Marin Gjonaj.
Tërheqja e znj. Skëndaj nga biznesi i ka lënë sërish vendin e parë znj. Vilma Nushi, një nga sipërmarrëset e para të pas viteve ‘90. Znj. Nushi është aksionere e vetme e kompanisë Marketing & Distribution, e krijuar që në vitin 1997.

Marketing & Distribution (M&D) një prej më të mëdhave në fushën e distribucionit, me të ardhura prej 8 miliardë lekësh në vitin 2017, me rënie 23% me bazë vjetore. Marketing & Distribution zotëron dhe 80% të aksioneve të 3P Life Logistic, e krijuar në 2001-n, që zbaton Kontratën e Koncesionit/Partneritetit Publik Privat për Paketën e Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë, me të ardhura 876 milionë lekë.

Në total, të ardhurat e dy kompanive ishin rreth 70 milionë euro dhe fitimet rreth 3.2 milionë euro. M&D kishte 323 të punësuar dhe 3P Life Logistic 160 të punësuar, sipas të dhënave të Tatimeve, që i përkasin vitit 2017. M&D ka edhe 35% të aksioneve të KAVEX – ELBASAN TOBACCO CO SA, me aktivitet në grumbullimin dhe përpunimin e duhanit në Elbasan, por shoqëria kishte aktivitet minimal në 2017-n.

2.Femrat e familjes Hoxha

Ëndrra e Dritan Hoxhës, e ndërprerë 10 vjet më parë vijon të çohet më tej nga bashkëshortja dhe fëmijët e saj, duke u bërë në 2017-n, biznesi i dytë më i madh në vend, i drejtuar nga sipërmarrëse femra. Vjollca Hoxha, së bashku me tre vajzat dhe djalin kanë paketën kontrolluese të aksioneve (51%) të Digitalb, operatorit televiziv me pagesë më të madh në vend, një model novator biznesi për kohën kur u zbatua në Shqipëri, që sot është një nga kompanitë më të suksesshme në vend.

Familja zotëron 100% të Top Channel, televizionit më të madh në vend sipas të ardhurave, dhe 49% të aksioneve të shoqërisë së përpunimit të kafesë Valtelina (51% të aksioneve i shitën në fillim të 2018-s). Dy bizneset e tjera, Top Albania Radio dhe VGA (botim e prodhim reklamash) kanë peshë relativisht të ulët (në maj të vitit 2018, Vjollca Hoxha i ka dhuruar 40% të aksioneve që zotëronte tek Top Albania, Ervin Zenelit).

Në total, të ardhurat e 5 kompanive ishin 7.2 miliardë lekë, nga të cilat 73% nga Digitalb dhe 19% nga Top Channel. Sipas përqindjes përkatëse të aksioneve, fitimet e familjes Hoxha ishin 127 milionë lekë, ose rreth 1 milion euro.

Top Channel dhe Digitalb janë dy punësues të mëdhenj, me përkatësisht 573 dhe 334 punonjës, sipas të dhënave nga Tatimet, deri në fund të 2017-s.
Vjollca Hoxha pohon se në një shoqëri maskiliste si e jona, gratë biznesmene janë të pakta, por jo më pak të suksesshme. Ka prej tyre që e kanë krijuar prej fillimit biznesin e tyre, dhe prej tyre që e kanë çuar përtej një biznes pasi kanë marrë drejtimin e tij. Ajo shprehet se për një grua të drejtojë një biznes është pak a shumë organike, na vjen së brendshmi, sepse menaxhojmë celulën më të rëndësishme të shoqërisë, familjen!

“Sigurisht që bashkë me ndjeshmërinë të duhet të kesh edhe cilësi që në mënyrë seksiste u atribuohen vetëm burrave, dhe në një sens, të “kërkohet” të burrëzohesh. Eksperienca ime më ka treguar se mund të bësh dhe pa këtë të fundit, duke kuptuar mirë se çfarë i duhet biznesit tënd për momentin, duke bashkëpunuar me njerëz me pasion si një prej aspekteve më të rëndësishëm për suksesin e një biznesi, por edhe duke përdorur mençurinë e një gruaje, e cila shpesh është superiore. Të mos harrojmë, Gruaja mbylli djallin në shishe!”, pohon ajo, duke shtuar se dëshira e saj është të shohë më tepër gra në pozicione drejtuese, dhe një shoqëri që frymëzojnë gratë për tu bërë të pavarura dhe për të ndryshuar vendin tonë për mirë.

3. Ina Topalli

Ina Topalli, e cila zotëron 49% të Global Resource Trading, u rendit në vend të tretë sipas të ardhurave, pas dyfishimit të të ardhurave të kompanisë në 6.5 miliardë lekë. Kompania u krijua në shtator 2015 dhe njohu rritje të shpejtë të të ardhurave dy vitet e fundit. Fitimi në 2017-n ishte 20 milionë lekë (160 mijë euro).

4. Melika Leka

Një hyrje në vitin 2016, Melika Leka, me kompaninë e përpunimit të sallamit, EHW, këtë vit renditet e katërta ndër sipërmarrëset më të mëdha (sipërmarrësi Luan Leka, në prill 2016, kaloi një kuotë të aksioneve prej 33% te bashkëshortja, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit).

Që prej vitit 2016, EHW deklaron bilanc të konsoliduar, së bashku me Qafë Shtama dhe Conad Albania. Në 2017-n, xhiro e kompanisë ishte rreth 5 miliardë lekë dhe fitimet arritën në 451 milionë lekë. Kompania ka 201 punonjës.

5. Merita Sheqi

Merita Sheqi është sot sipërmarrëse e kompanisë më të madhe të tregtimit të produkteve farmaceutike në vend, Rejsi Farma dhe e pesta nga kompanitë e drejtuara nga femra. Ajo e ka nisur aktivitetin e biznesit që në vitin 1999, së bashku me bashkëshortin, me të cilin ndan përgjysmë pronësinë dhe ka njohur rritje të qëndrueshme të aktivitetit vit pas viti, duke qenë sipërmarrja më novatore dhe serioze në segmentin ku vepron.Në vitin 2017, shoqëria kishte një qarkullim vjetor prej 3.6 miliardë lekësh, ndërsa fitimet u rritën në rreth 200 milionë lekë (rreth 1.6 milionë euro).

Shoqëria tjetër, R&S FARMA, e krijuar në 2014-n, me aktivitet “Tregti me shumicë e pakicë të medikamenteve, artikujve farmaceutikë e kozmetikë”, ka vijuar rritjen e shpejtë edhe në 2017-n, duke arritur në një qarkullim vjetor prej 624 milionë lekësh.

6. Donike Gega

Donike Gega zotëron 100% të aksioneve të GEGA CENTER GKG, kompani e cila është krijuar në vitin 2006 dhe si aktivitet ka “Tregtimin me pakicë të karburanteve e lubrifikanteve, pikë gazi e transport i tij”. Ajo është bërë aksionere e kompanisë që prej fillimit të vitit 2012. Znj. Gega operon në biznesin familjar të tregtimit të naftës, teksa është administratore edhe e Gega Oil dhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të “Genklaudis”, një prej sipërmarrjeve më të mëdha të tregtimit me shumicë të naftës në vend.

Për vitin 2017, të ardhurat e GEGA CENTER GKG ishin 3.7 miliardë lekë, ndërsa fitimet arritën në rreth 111 milionë lekë (rreth 870 mijë euro). Kompania ka parë rritje të shpejtë të të ardhurave në tre vitet e fundit, ndërsa kishte 313 punonjës.

7. Donika Mici

Donika Mici është një prej sipërmarrëseve të para në vend, që kompaninë Donianna e transformoi nga një aktivitet fason, në një biznes të mirëfilltë prodhues me cikël të mbyllur. Ajo është punëdhënësja më e madhe femër në vend, me rreth 1500 të punësuar në Donianna, Albanian Shoes Coorporation 2, Dophil, Rozimpex. Të ardhurat e 4 kompanive ishin rreth 2.9 miliardë lekë në vitin 2017, ku më e madhja është Donianna, me një qarkullim vjetor prej 1.8 miliardë lekësh. Fitimet para taksave të tre kompanive ishin 60 milionë lekë.

Krahas këpucëve, znj. Mici ka hapur në vitin 2016 aktivitet për prodhimin e çantave të lëkurës, nëpërmjet DonaElegant, nga i cili në 2017-n realizoi 85 milionë lekë të ardhura. Në korrik të 2018-s, znj. Mici ka kaluar 50% të kuotave të saj tek Rozimpex tek e bija, Dorina, në një vazhdimësi të aktivitetit po nga femra. Edhe aksioneri tjetër i Rozimpex, Luigi Russo, ka shitur kuotën e tij prej 50% të aksioneve, ndërsa si ortake ka hyrë Hëna Hoxha.

8. Mimoza Çobo

Znj. Mimoza Çobo është aksionere e shoqërisë D E N I S A, e krijuar në vitin 2005, duke pasur një aktivitet të qëndrueshëm në vite. Kompania, sipas ekstraktit në QKB, ka aktivitet në tregti, import-eksport njëkohësisht dhe prodhim: të artikujve të ndryshëm industrialë, artikujve ushqimorë, kancelari dhe artikuj, konfeksione e tekstile, makineri e pajisje. Për vitin 2017, të ardhurat e subjektit ishin 2.5 miliardë lekë, ndërsa fitimi para taksave arriti në 71 milionë lekë.

9. Nertila Kole

Nertila Kole është një hyrje e re në listën e sipërmarrëseve femra më të mëdha për 2017-n, me aktivitet në fushën e turizmit. Ajo është aksionere e vetme e Travel Hub Solutions, themeluar në prill 2014 (znj. Kole i bleu aksionet në mes të 2017-s). Travel Hub Solutions zotëron 49% të aksioneve të shoqërisë së fluturimeve Alba Wings, që ka njohur rritje të shpejtë në tregun e fluturimeve ajrore dy vitet e fundit, duke pasur si destinacion kryesor qytetet e Italisë. Qarkullimi vjetor i Alba Wings ishte 2.5 miliardë lekë në 2017-n, në katërfishim në raport me vitin e mëparshëm, ndërsa fitimet ishin 156 milionë lekë (1.2 milionë euro).

Alba Wings shënoi rritje të peshës së tregut në 8% të totalit të fluturimeve në 2017-n, sipas numrit të pasagjerëve në 2017-n, nga 2% vitin e mëparshëm, sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport. Ndërsa në gusht 2018, pesha e tregut arriti në 15% sipas statistikave të Autoritetit të Aviacionit Civil.

10. Romina Ylli

Romina Ylli (Shemaj) është një tjetër femër në listën e sipërmarrëseve më të mëdha në vend për nga xhiro, me aktivitet në fushën e hidrokarbureve. Ajo është aksionere e vetme e kompanisë së tregtimit me shumicë të karburanteve AFT, në gjurmën e aktivitetit të familjes, ku “Shemaj sh.p.k.”, që prej vitit 1994, kishte aktivitet në sektorin e tregtimit me pakicë të naftës. Në vitin 2017, të ardhurat e AFT arritën në 2.5 miliardë lekë, ndërsa fitimet para taksave ishin rreth 21 milionë lekë.

11. Motrat Malo

Motrat Malo zotërojnë 60% të aksioneve të Top Start, të trashëguar nga babai i tyre. Në vitin 2017, kompania, me aktivitet në fushën e basteve sportive qarkulloi 2.3 miliardë lekë dhe kishte fitime prej 44 milionë lekësh. Në fund të 2017-s, Top Start kishte rreth një mijë të punësuar.

Në fillim të vitit të ardhshëm hyn në fuqi vendimi i qeverisë për të mbyllur aktivitetin e lojërave të fatit, që përfshin dhe bastet sportive.

12. Monika Hamzaraj

Monika Hamzaraj është një tjetër hyrje e re në listën e sipërmarrëseve më të mëdha femra, përmes biznesit familjar. Ajo ka blerë 50% të aksioneve të Megapharma, shoqërisë së tregtimit të produkteve farmaceutike nga Rasim Hamzaraj në tetor të vitit 2018. Kompania kishte qarkullim vjetor prej 2.3 miliardë lekësh në 2017-n dhe fitime prej 139 milionë lekësh. Në shtator të 2018-s, Arba Merkoçi, e cila në 2016-n ishte në listën e sipërmarrëseve më të mëdha, shiti 30% të kuotës që ajo zotëronte tek Megapharma.

13. Entela Mehmeti

Në një biznes familjar, Entela Mehmeti zotëron 30% të aksioneve të ALBTOURS”D”-VAS tour, një prej operatorëve më të mëdhenj turistikë në vend. Në 2017-n, të ardhurat e kompanisë ishin 2.2 miliardë lekë dhe fitimet 7.4 milionë lekë.

14 Eleni Babameto

Prej më shumë se 20 vitesh, Eleni Babameto drejton së bashku me bashkëshortin, firmën Teuta Durrës, me aktivitet në fushën e importimit dhe eksportimit, paketimit, prodhimit të brumërave dhe tregtimit të artikujve ushqimorë. Shumë gjëra kanë ndryshuar në këto 20 vjet, teksa sipërmarrja sot është shumë më e organizuar. Në vitin 2017, të ardhurat e kompanisë ishin 2.2 miliardë lekë dhe fitimet rreth 106 milionë lekë.

15. Alba Nicoli

Alba Nicoli, aksionere e vetme e ALPI-COM HOLDING, e krijuar në shtator 2013, ka zbritur në vendin e 15, në renditjen sipas të ardhurave. Qarkullimi vjetor i shoqërisë ishte 1.9 miliardë lekë, në 2017-n, me tkurrje 37% me bazë vjetore. Fitimet ishin minimale, në raport me xhiron, prej 27 milionë lekësh. Kompania e saj, sipas burimeve zyrtare është një operator alternativ i ri, për të ofruar komunikime elektronike në Shqipëri, në veçanti telefoninë, duke ofruar telekomunikim me pakicë dhe shumicë.

Daljet

Krahas Anisa Skëndaj, një tjetër dalje është ajo e Elida Flora, që zotëron 100% të kompanisë R.E.K-NB, me aktivitet në tregtinë me shumicë dhe pakicë të mallrave industriale dhe bujqësore. Ndërsa në 2016, znj. Flora u rendit e pesta ndër sipërmarrëset më të mëdha sipas xhiros, në fillim të vitit 2018, kompania ka pezulluar aktivitetin.

Hyrjet e reja

MEKTRIN TRUCKS, me aksionere të vetme, Marilda Shahini, që ka nisur aktivitetin në fund të 2014-s ka shënuar rritje të shpejtë të të ardhurave në 2017-n, duke arritur në 1.7 miliardë lekë, me rritje 27 herë nga viti i mëparshëm.

Kush fiton më shumë

Bazuar në deklarimet zyrtare në bilanc në 2017-n dhe përqindjen përkatëse të aksioneve, sipërmarrësja me fitime më të larta në vitin 2017 ishte Vilma Nushi, me rreth 3 milionë euro (para taksave).

Në vend të dytë është Arta Gurabardhi, e cila zotëron 40% të aksioneve të Abkons, me aktivitete në shërbime këshillimi, që është dhe nënkontraktor i gazsjellësit TAP. Fitimet, sipas pjesëmarrjes me aksione, ishin rreth 2.1 milionë euro, para taksave. Abkons ishte një prej kompanive më fitimprurëse në vend në 2017-n, me një normë kthimi (fitim para taksave/ardhura) prej 41%.

Në vend të tretë është Sonjela Gjolaj, aksionere e vetme e B.M SHPK, kompanisë së tregtimit të produkteve bujqësore, me seli në Shkodër dhe e krijuar që në vitin 2006. (Ajo u bë aksionere në vitin 2012, pas dhurimit të aksioneve nga Imer Gjolaj, sipas lëvizjeve në QKB). Fitimet e kompanisë ishin rreth 1.8 milionë euro në 2017-n dhe norma e kthimit 24%.

Në vend të katërt është Melika Leka, me rreth 1.2 milionë euro fitime.

Në vend të pestë është familja Hoxha, me rreth 1 milionë euro fitime (bazuar në përqindjen e aksioneve në 5 kompani). Sipas normës së fitimit, kryeson Universiteti Aldent, 49% të së cilës zotërohen nga Elira Alushi, me një normë kthimi prej gati 50%, e ndjekur nga Abkons me 41%. Karakteristikë e bizneseve me aksionere femra është norma e ulët e fitimit, një tregues indirekt i vështirësisë të të bërit biznes nga gratë në Shqipëri.

Norma mesatare e fitimit para taksave e kompanive më të mëdha, të cilat kanë të paktën një aksionere femër me 30% të aksioneve, është mesatarisht 2-4%, më e ulët se kthimet prej 5-15% në sektorët e ndryshëm të ekonomisë shqiptare. Sipërmarrëset thonë se bizneset në pronësi të femrave janë më pak të prira të fshehin aktivitetin, nuk punojnë me tenderë publikë, që përgjithësisht kanë kthime të larta, teksa korruptojnë më pak se burrat.

Në drejtim të televizioneve

Me bashkëshortët apo vetëm, femrat të cilat kanë në pronësi televizionet më të mëdha, nuk mungojnë. Vjollca Hoxha, me fëmijët, tashmë ka marrë në pronësi të gjithë televizionin Top Channel, më i madhi në vend për sa u përket të ardhurave, ndërsa ka një kuotë zotëruese prej 51% të aksioneve në platformën televizive me pagesë Digitalb (së bashku me 4 fëmijët). Alba Ginaj ka në pronësi 40% të aksioneve të TV Klan dhe 20% në ABC News.

Femrat e familjes Dulaku kanë marrë sërish në fillim të 2018-s pronësinë e plotë të Tring TV (në dhjetor 2016, Holta Dulaku (e cila kishte 33% të aksioneve), Melina Dulaku – 33%; Ridvana Dulaku – 34% shitën 80% të aksioneve te Sotiraq Toshi dhe mbajtën të tria 20% të aksioneve, ndërsa në shkurt 2018 u miratua revokimi i Shitjes së Aksioneve të Shoqërisë te blerësi z. Sotiraq Toshi).

Metodologjia

Të dhënat janë përpunuar nga “Monitor” sipas metodologjisë së mëposhtme: nga lista e kompanive më të mëdha në vend sipas xhiros, sipas Tatimeve, janë shkarkuar ekstraktet përkatëse në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Nga ekstraktet janë përzgjedhur kompanitë, në të cilat pronësia e femrave (e identifikuar në bazë të një apo më shumë emrave) është më e lartë se 30%. Kërkimi ka vijuar deri sa janë identifikuar 40 kompanitë më të mëdha me pronare femra dhe përfshiu 400 kompanitë më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat