Dalin emrat e Universiteteve më të korruptuara shqiptare

Shqipëria

Dalin emrat e Universiteteve më të korruptuara shqiptare

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 21:17
Ilustrim

Universiteti politeknik del më i korruptuari, e pas tij vjen Kamza.

 Kjo është renditja e Universiteteve me probleme me korrupsionin sipas një listimi të “Qëndresës qytetare”. Të dhënat kanë dalë nga intervistimi i mbi 500 studenteve.

Universiteti Politeknik i Tiranës shfaqet më i korruptuari në vendin tonë, në masë 80%, më pas ndiqet nga Universiteti Bujqësor i Tiranës me prezencë të këtij fenomeni 77%. Ky monitorim është realizuar nga Qëndresa Qytetare në lidhje me korrupsionin në Universitetet Publike”.

“Gjithsej janë intervistuar 501 studentë të nivelit Bachelor dhe 139 të nivelit master. Pyetjes kryesore: A është i pranishëm korrupsioni në universitetin tuaj? 73% e studentëve të anketuar e pohojnë”, u shpreh Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qendresa Qytetare”.

Format e përhapjes së korrupsionit janë të ndryshme, por sipas raportit 43% e studentëve kanë paguar në këmbim të notës, përmes një personi të tretë.

“Jo thjesht ndërmjetës dhe sekretarë, por ka arritur deri aty sa përdoren edhe lokalet, ku shkohen dhe lihen lekët te kamarierët”, tha Enkeleda Millonai, drejtuese e Prokurorisë Elbasan.

“Ka raste edhe në mënyrë direkte, përgjithësisht janë për marrjen e një note të pamerituar por edhe detyrimi I blerjes së librave, që edhe kjo patjetër quhet një formë korrupsioni”, thotë Kristian Kina, student.

Ajo çka bie në sy nga të dhënat, është se edhe vetë studentët, 24% prej tyre janë të gatshëm të bëhen palë me korrupsionin , duke ofruar ryshfet. Por harrojnë ndëshkimet ligjore.

“Në kodin penal, për sa i përket korrupsionit pasiv, pra për atë që akuzohet pedagogu, dënimet shkojnë nga 2 vjet në 8 vjet dhe studentët vetë ndëshkohen, në rastin kur kanë kryer korrupsionin aktiv nga 6 muaj deri në 3 vjet”, tha Enkeleda Millonai, drejtuese e Prokurorisë Elbasan.

Me këtë situatë, ku shifrat janë alarmante Ministria e Arsimit apo edhe vetë strukturat brenda universiteteve duhet të ushtrojnë kontrolle për të parandaluar këtë fenomen. Pedagogët sugjeruan gjatë tryezës së diskutimit që të merren masa për pedagogët që ushtrojnë korrupsionin.

“Unë si pedagog dhe si qytetar, do e quaja sukses që ne ta pastronim universitetin nga këta pedagogë, mjafton t’I nxjerrim nga auditorët”, u shpreh Jani Marka, Pedagog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat