Merret vendimi për burrin që hodhi këpucën ndaj Ramës

Shqipëria

Merret vendimi për burrin që hodhi këpucën ndaj Ramës

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 13:05
Pamje nga sulmi ndaj Rames

Ilia Katiraj, burri që hodhi këpucën në drejtim të kryeministrit Edi Rama, pa mundur ta godasë atë, do të qëndrojë në masë arresti me 30 ditë.

Këtë vendim dha sot Gjykata për Krime të Rënda, në një seancë për të ndaluarit pas protestës së dhunshme të banorëve të "Astirit" të enjten para Parlamentit. Katiraj tentoi të qëllojë kryeministrin kur Rama shkoi në Spitalin e Traumës në kryeqytet, për të vizituar policët që mbetën të plagosur gjatë tubimit të dhunshëm. Situata e goditjes me këpucë u shmang nga truproja i kreut të qeverisë dhe forcat e policisë që arrestuan menjëherë burrin, megjithatë, vetë reagimi i Ramës ishte i ashpër çka u pa edhe me mimikën e tij. Vendimi sot u dha nga gjyqtari Besnik Hoxha në prani të prokurorit Ndini Tavani.

Ndërkohë, po sot bashkëshortja e Ilia Katiraj, e cila ishte në gjykatë, tregoi për mediat se përse i shoqi ndërmori këtë akt.

Gruaja tregoi se i shoqi mori këtë vendim pasi punonjësit e INUK-ut i thyen krahut pasi donin t’i prishnin shtëpinë disa kohë më parë.

"Burrit tim i kanë thyer krahun gjatë përplasjes me INUK të ndodhur disa vite më parë. Ndërsa vitin 2014, dy djemtë e mi janë dhunuar barbarisht nga forcat e policisë pasi kanë kundërshtuar prishjen e banesës. Ata janë shtruar në spital, por kur shkuam të merrnin kartelat, nuk ekzistonin. Djemtë tani janë në Gjermani ku kanë shkuar për të kërkuar azil", u shpreh ajo.

Protestuesit e arrestuar, të cilët janë banorë të zonës së "Astirit" që preken nga projekti i Unazës së Madhe, akuzohen për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike” e kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë familjarët e protestuesve nuk janë lejuar të futen në sallën e gjyqit, por janë mbledhur jashtë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, duke protestuar për lirimin e të afërmve të tyre.

Për këtë proces gjyqësor reagoi përmes Facebook-ut edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

"Nje proces i turpshëm stalinist! Të dashur miq, dënimi stalinist me 30 ditë burg nga krye, kryekreu Edvin Kristaq Urrejtja, të heroit të mosbindjes civile Ilir Katiraj, që ju vërsul me këpuce turinjve Edvin Urrejtjes, është dëshmi e tmerrit që ka kapur kreun e meduzës.

Me këtë rast le t’i themi Kallam Dështakut se Ilir Katiraj është heroi i mosbindjes civile që do të të flakë aty ku e ke vendin, në koshin e plehrave. Je i pashpresë!", - shkruajti Berisha.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat