Bode në Bordin e BSH-së, Rama: Propozimi për interesat e vendit

Shqipëria

Bode në Bordin e BSH-së, Rama: Propozimi për interesat e vendit

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 18:12
BSH

Kryeministri Edi Rama shpjegoi në rubrikën “Përgjigja ime” përse propozoi ish-ministrin demokrat të Financave, Ridvan Boden, si anëtar të bordit të Bankës së Shqipërisë, duke e cilësuar këtë veprim në shërbim të interesave të vendit.

“I dërgova një sms nëse ishte i interesuar dhe u përgjigj PO”, u shpreh Rama, duke shpjeguar se Ridvan Boden e ka takuar vetëm një here në jetë, në rrethana krejtësisht të rastësishme pa asnjë lidhje me politikën, madje dhe kur ai vetë ishte thjesht një deputet.

“Shumë kohë më pas kur në Kabinet përgatisnim propozimet për tre anëtarët që qeveria duhet t’i propozojë Kuvendit për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, i kam çuar një mesazh, thjesht interesimi, për kandidaturën e tij. Mesazhit ish- ministri i Financave për shumë vite i është përgjigjur pozitivisht”, tha Rama.

Pasi kanë dalë propozimet zyrtare, tha Kryeministri, Ridvan Bode është shpallur tradhtar nga partia e tij dhe “rrotëkadrizmi politik i SHQUP-it është shtrirë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe deri këtu në këtë faqe, ku ti Ismet më ke përcjellë mua përveç ngjyrave flamurnokiste të fjalorit shqyparak të njohura, edhe tërë neverinë e kadri partisë tënde për tradhtarin”.

“Nuk do të kisha humbur as një sekondë as për t’i dalë në mbrojtje ish-ministrit të PD-së pasi është njësoj si të marrësh anë brenda një sherri në familjen e madhe të mëhallës tjetër. Aq më tepër që Ridvan Boden nuk e kam propozuar për aq shumë sa ka luftuar politikisht ndaj qeverisë tonë, meje personalisht në parlament. As për aq shumë vite që ka qenë në krye të çdo beteje mes dy familjeve të mëdha politike të këtij vend”, tha Rama.

“Nuk e kam propozuar as për ta larguar si udhëheqës politik të fushatave të PD-së sidomos në qarkun e Korçës, ku pasi e hoqi vetë partia e tij kohë më pare na u bënë pak më të lehta edhe fushatat edhe fitoret”, tha Rama.

“Banka e Shqipërisë nuk është as e partive dhe as e kadrinjve e nuk ka flamur tjetër përveç interesave kombëtare. Historikisht ka qenë kështu që për çudi të madhe në fakt, që e ka bërë Bankën e Shqipërisë të vetmin instutucion të këtij vendi ku mortja rrotëkadriste e politikës qorre e ndasisë ekstreme partiake nuk ka bërë dot as një shkatërrim”, tha Rama.

Pra, theksoi kryeministri, të jesh i propozuar për të kontribuar në bordin e BSH, nuk duhet të jesh as tradhtar as shërbëtor i një partie por thjesht duhet të jesh një profesionist”, tha Rama.

“Në atë bord, prejardhjet e ndryshme politike të anëtarëve të bordit, garantojnë jo një ekuilibër banal politik prej tepsie siç ka qenë traditë në shumë borde të këtij vendi, por një ekuilibër politik këndvështrimesh dhe qasjesh ndaj politikës monetare të këtij vendi.

Për shembull Arben Malaj dhe Ridvan Bode janë dy ish-ministra, njëri socialist, tjetri demokrat, sot jashtë rolit partiak, të dy nuk janë dakord për asgjë nëse debatohet për taksat, borxhin, por kur vjen puna te proceset vendimmarrëse të BSH, janë dy figura shumë të vlefshme në shërbim të politikës monetare të vendit tonë. E thënë ndryshe për ty Ismet, shërbëtorë të zellshëm të partisë tënde si Flamur Kadriu apo Kadri Noka, partia mund t’i propozojë në bnordin e institutit për kërkime peshqish Oqeanin Indian, apo në këshillin mbikëqyrës të shpërthimit të lëndëve plasëse në jetën parlamentare të planetit, por ne s’kemi ku t’i propozojmë tjetër veçse në kurset kundër analfabetizmit funksional të atyre që dalin nga klasat kolektive. Frymorët besnikë të atij lloji janë aq të padobishëm saqë nuk bëhen dot tradhtarë të partisë edhe sikur të çohet dikush e t’iu kërkojë një kontribut për hir të Shqipërisë.

S’kemi qenë dhe s’do jemi kurrë njësoj, sepse ne, PS, e kemi vënë gjithmonë interesin e vendit dhe të shtetit të parin. Edhe këtë herë, duke propozuar Ridvan Boden për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të BSH, zgjedhim t’i shërbejmë bankës dhe jo partisë”, tha Rama. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat