Ndërpritet tregtimi dhe importi i lëndëve plasëse e piroteknike

Shqipëria

Ndërpritet tregtimi dhe importi i lëndëve plasëse e piroteknike

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 16:12
Romina Kuko

Ministria e Brendshme dhe institucione të tjera të ligjit kanë marrë masa për të vendosur një regjim kontrolli për lëndët plasëse shpërthyese dhe për lëndët piroteknike.

Protesta para Kuvendit nxori në pah fuqinë shkatërruese të lëndëve plasëse që kanë aftësi të shkatërrojnë jo vetëm inde të buta, por edhe eshtra dhe metale.

Në një deklaratë për mediet, zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko u shpreh se pas pasojave të rënda që solli shpërthimi gjatë protestave të paligjshme të zhvilluara para Kuvendit të Shqipërisë me datën 22 nëntor autoritetet përgjegjëse dhe ekspertë të Policisë së Shtetit kanë marrë masa për të hetuar shkaqet dhe pasojat të rënda që solli përdorimi me papërgjegjshmëri i tyre.

Duke iu referuar ekspertizës bërë me lëndët plasëse, Kuko shton se nga eksperimentet e kryera me mjete shpërthyese të sekuestruara gatë protestës janë regjistruar rezultate shokuese.

“Provat eksperimentale kanë treguar se mjetet shpërthyese janë në gjendje të shkatërrojnë jo vetëm materiale apo inde të buta por edhe materiale të forta si eshtrat apo metali” u shpreh ajo.

Ndërkohë që puna hetimore po vazhdon, u shpreh Kuko duke vijuar se “Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera po marrin masa për vendosjen e një regjimi të ri kontrolli për lëndët plasëse shpërthuese dhe për lëndët piroteknike”.

Përmes një videoje, Ministria e Brendshme sjell disa nga rezultate shkatërruese që sjellin mjetet shpërthyese të sekuestruar në protestë.

Ministria e Brendshme u kërkon të gjitha subjekteve tregtare që të ndërpresin importin, magazinimin dhe tregtimin e të gjitha lëndëve plasëse, mjeteve shpërthyese dhe piroteknike me efekt të tillë, të cilat i drejtohen tregut të gjerë.

“Nxisim të ndërpritet menjëherë tregtimi dhe të dorëzojnë produktin me këtë përmbajtje, duke lajmëruar sa më parë Komisariatin pranë. Kushdo që do të kapet me këtë produkt apo do të disponojë individualisht të tilla lëndë do të ndalohet e ndëshkohet”, tha Kuko.

Në prag të festave të Fundvitit, Ministria e Brendshme u bën thirrje prindërve, familjarëve dhe kujdestarëve që të mos inkurajojnë dhe të mos lejojnë përdorimin e mjeteve të sipërpërmendura nga fëmijët apo të rriturit.

Gjithashtu, Ministria e Brendshme fton të gjithë qytetarët që të raportojnë në të gjitha rrugët e mundshme rastet e tregtimit apo përdorimit të lëndëve plasëse, atyre shpërthyese dhe mjeteve piroteknike.

Ministria e Brendshme u kërkon gjithë subjekteve politike që të marrin masa për të mbajtur kontroll dhe përgjegjësi të plotë gjatë organizimit të veprimtarive, me qëllim ndalimin kategorikisht të përdorimit të mjeteve të sipërpërmendura gjatë tyre.

Në ditët në vijim, qeveria shqiptare do të rishikojë kriteret dhe standardet e licencimit të subjekteve që importojnë, magazinojnë apo tregtojnë lëndë të rrezikshme. Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera shtetërore do të intensifikojnë kontrollet dhe do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar rrezikun për sigurinë publike që buron nga përdorimi i mjeteve të rrezikshme.

Në protestën e datës 22 nëntor 2018 u përdoren mjetet shpërthyese që u panë në videon e mësipërme. Nga njëri prej tyre u gjymtua punonjësja 24-vjeçare e Policisë së Shtetit, Ina Nuka. Por nëse ne lejojmë përdorimin e mëtejshëm të tyre, pasojat e marrëzisë dhe papërgjegjshmërisë do të vijojnë. Ministria e Brendshme u kërkon të gjithëve bashkëpunim për të mbyllur këtë burim shqetësues rreziku për sigurinë e të gjithëve. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat