Balla takime të nivelit të lartë me përfaqësues të PE dhe KE - Bota Sot
Balla takime të nivelit të lartë me përfaqësues të PE dhe KE

Shqipëria

Balla takime të nivelit të lartë me përfaqësues të PE dhe KE

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 19:18
Deputetët nga Kosova dhe Shqipëria

Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Vasilika Hysi, kryetarin e Grupit të PD Edmond Spaho, nënkryetaren e Grupit të LSI, Klajda Gjosha dhe kryetarin e Grupit të PR, Fatmir Mediu morëm pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë me Parlamentin dhe Komisionin Europian të kryesuar nga kryetari i Komitetit të Politikës së Jashtme, David McAllister dhe Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Gjatë këtij takimi Balla në fjalën e tij, u shpreh se “teksa Britania e Madhe po largohet nga BE dhe kjo ka krijuar trishtim mes jush, vendosmëria për anëtarësimin e vendeve tona, Ballkanit Perëndimor, sjell gëzim dhe ridëshmon se BE është burimi i pazëvendësueshëm për paqe, stabilitet dhe prosperitet në Europë”.

Balla ndër të tjerash bëri edhe një prezantim të shkurtër mbi ecurinë e implementimit të Reformës në Drejtësi, ecurinë e kënaqshme të Vetting-ut që paraprin ngritjen e institucioneve të reja KLGJ dhe KLP, si dhe të BKH dhe SPAK.

“Procesi i Vetting-ut në radhët e drejtësisë është duke dhënë rezultate të kënaqshme në rrugën tonë të forcimit të shtetit të së drejtës. E di që ka një shqetësim për vakancat e krijuara në Gjykatën Kushtetuese apo të Lartë, por më mirë vakanca sesa gjyqtarë të korruptuar të japin vendime. Në fillim të vitit të ardhshëm institucionet e reja të drejtësisë do të jenë në detyrë. Kush mendon se Reforma në Drejtësi mund të pengohet, ose mund të bëhen pazare në kurriz të saj, e ka gabim”, u shpreh Balla.

Shqipëria ka një ndër ligjet më të mira për minoritetet në Europë dhe ky është një standard për të gjithë Ballkanin. Madje edhe vende anëtare të BE në rajon mund t’i referohen si model.

“Jemi gati të votojmë së bashku me opozitën, të cilët i falenderoj që jemi së bashku këtu, Reformën Zgjedhore, paketa ligjore për të cilën tashmë është gati dhe unë besoj se do të arrijmë ta votojmë brenda Krishtlindjeve. Sundimi i ligjit, përmes luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vijon me rezultate të forta dhe shumë domethënëse”.

Sipas Ballës, viti 2025 është momenti i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. “Mos kini frikë nga bashkëpunimi mes shqiptarëve. Jemi faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe paqeje në Ballkan. Jemi krenarë që jemi kombi më proeuropian në rajon, në Shqipëri mbështetja për anëtarësim në BE është mbi 90%. Zhvillojmë me të gjithë fqinjët marrëdhënie shumë të mira, përfshirë Serbinë. Lidhur me qëndrimin me dy fytyra të Serbisë, dua të sqaroj se, së pari, Serbia duhet të çlirohet nga komplekset e vjetra ballkanike dhe duhet të pranojë realitetin e ri të pakthyeshëm dhe të njohë pavarësinë e Kosovës. Është qëndrim me dy fytyra që nga njëra anë zhvillohen bisedime, nga ana tjetër Serbia lobon kundër anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, siç ndodhi me Interpolin. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol i bën mirë luftës së përbashkët kundër krimit. E prandaj Serbia duhet të heqë dorë nga kjo dyfytyrësi”, vijon Balla.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...