Buxheti votohet me debate: Braçe refuzon drejtimin e mbledhjes, voton kundër disa nene

Shqipëria

Buxheti votohet me debate: Braçe refuzon drejtimin e mbledhjes, voton kundër disa nene

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 20:13
Erion Braçe

Tensionet kanë qenë të mëdha brenda mazhorancës, përpara diskutimeve nen për nen të paketës fiskale dhe buxhetit. Në qendër të debateve kanë qenë deklaratat e forta të bëra më parë nga kryetari i Komisionit, Erion Braçe, i cili pati thënë se ai dhe disa deputetë do të kërkonin rritjen e kufirit të pagës së patatueshme, nga 30 në 40 mijë lekë në muaj.

Në fakt, ky propozim nuk u pranua asnjëherë nga ministri i Financave, Ahmetaj. Përplasja ka qenë aq e ashpër, sa në fillim mbledhja e komisionit u shty pasdite. Por, situata u bë më evidente, kur mbledhjen nuk e drejtoi kryetari i Komisionit, Erion Braçe, por Sekretari Anastas Angjeli, një zgjedhje kjo mjaft e diskutueshme, pasi nuk është e qartë nëse ka bazë ligjore që mbledhja e një komisioni parlamentar mund të drejtohet nga sekretari.

Partia Demokratike reagoi përmes deputetes Jorida Tabaku, e cila përmes një postimi në Facebook thotë se mbledhja është e paligjshme, pasi sipas Rregullores së Kuvendit, mbledhjet drejtohen vetëm nga kryetarët ose nënkryetarët e komisioneve.

Vet Braçe u bë pjesë e mbledhjes në mes të seancës, por pa marrë asnjëherë drejtimin, madje duke votuar disa herë kundër. Ndërkohë, si përfudim, propozimi për rritjen e kufirit të pagës së patatueshme nga 30 mijë në 40 mijë lekë në muaj as që u përmend fare nga asnjë deputet, as nga vet Braçe.

Komisioni i mbylli diskutimet duke votuar në tërësi buxhetin dhe paketën fiskale, të cilat të hënën do të shqyrtohen në seancë plenare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat