Anëtarësimi në BE, Austria vlerëson reformat e ndërmarra nga Shqipëria - Bota Sot
Anëtarësimi në BE, Austria vlerëson reformat e ndërmarra nga Shqipëria

Shqipëria

Anëtarësimi në BE, Austria vlerëson reformat e ndërmarra nga Shqipëria

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 22:25
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli dhe disa prej anëtarëve të këtij komisioni patën, në selinë e Kuvendit një takim me Presidentin e Këshillit Kombëtar të Republikës të Austrisë, Wolfgang Sobotka, i cili po zhvillon një vizitë në vendin tonë.

Gjatë takimit, Kodheli vlerësoi stadin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme që Austria i ka dhënë e vazhdon t’i japë Shqipërisë në rrugën e zhvillimit ekonomik, forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Ajo theksoi se Austria ka qenë vazhdimisht mbështetëse në proceset demokratike dhe integruese të Shqipërisë.

“Jemi te bindur se kjo mbështetje nuk do t’i mungojë Shqipërisë, as tani për hapjen sa më të shpejtë të negociatave me BE, as në përpjekjet tona të vazhdueshme për të përmbushur ato standarde që na duhet të arrijmë për të qenë një vend me të drejta të plota në Bashkimin Europian”, – tha Kodheli.

Ndërsa vuri në dukje rolin e Shqipërisë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit, sigurisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Europë e më gjerë, Kodheli në këtë kontekst, i drejtoi Presidentit të Këshillit Kombëtar të Austrisë kërkesën për mbështetjen e kandidaturës së Shqipërisë për të marrë kryesinë e ardhshme të OSBE-së në vitin 2020 si dhe për tu bërë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023.

Nga ana e tij, Presidenti i Këshillit Kombëtar të Republikës të Austrisë, Wolfgang Sobotka  theksoi se shkëmbimi i mendimeve dhe bashkëpunimi ndërparlamentar është një nga pikat kyçe të bashkëpunimit midis dy vendeve.

“Ndërgjegjja historike është e rëndësishme sepse rrënjët e forta te ndihmojnë të ecësh pa frikë drejt së ardhmes”, – tha ai. “Ndërkohë ajo që ka bërë Shqipëria kohët e fundit është shembullore në dy drejtime: brenda vendit – me reformat në Drejtësi dhe Vetingun dhe në rajon, me frymën e bashkëpunimit dhe ndikimin pozitiv tek faktori shqiptar në të gjitha vendet fqinje”, – theksoi Sobotka.

“Vendet e Ballkanit duhet të zhvillohen duke luftuar kundër barrierave midis tyre, por edhe kundër fenomeneve negative si krimi dhe korrupsioni. Krijimi i një tregu ekonomik unik do të ishte një arritje e rëndësishme në këtë drejtim”, – tha ai.

Duke folur për përpjekjet e Shqipërisë në drejtim të integrimit europian, Sobotka tha se “Austria ka qenë dhe do të mbetet përherë një mbështetëse e Shqipërisë si në drejtim të zhvillimit të vendit, ashtu edhe në drejtim të përpjekjeve të tij për t’u integruar sa më parë në BE. Ne, së bashku, duhet të vazhdojmë kontaktet dhe bisedimet intensive me vendet skeptike për t’i bindur ata që të jenë më fleksibël dhe dashamirës”.

Edhe anëtaret e tjerë të Komisionit të Parlamentit shqiptar për Politikën e Jashtme shprehën mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë si në zhvillimin ekonomik, social-kulturor e të gjithanshëm të Shqipërisë. /ATSH

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...