Kur u ngrit Flamuri kuqezi

Opinione

Kur u ngrit Flamuri kuqezi

Hysen Berisha Nga Hysen Berisha Më 28 nëntor 2018 Në ora: 07:27
Flamuri kuqezi

Duke e kujtuar 50- vjetorin e ngritjes së Flamurit kuqezi në Kosovë, kujtojmë se edhe dy vjet pas rënies së tiranit serb Aleksandar Rankoviq në prill të vitit 1966, disa shqiptarë ende e mbanin të varur në mur portretin e tij. Kështu ka ndodhur në vendlindjen time, por kështu ndodhte edhe në komuna tjera të Kosovës!

Ishte prilli i vitit 1968. Vërtetë vdekjen e të atit e kishte harruar shpejtë dhe në të njëjtin muaj kishte pësuar edhe vdekje politike armiku i shqiptarëve, tirani Aleksandar Rankoviq.

Ramadanin, gjatë ngushëllimeve për vdekjen  e të atit, dashamirët shpesh e kishin zënë duke e dëgjuar një transistor të markës «Delux-8». Derisa dashamirët e gjykonin si reagim jonormal, për shkak të humbjes së prindit, ai ishte i zënë me gjykimin që po i bëhej Rankoviqit. Vërtetë, Rankoviqi kishte thyer qafën dy vite më parë, por reflektimi në Kosovë nuk dukej falë kumbarëve të tij. Kur baba im Ramadan Berisha i njoftoi miqtë për degradimin e Rankoviqit, disa nga njerëzit, në vend që të gëzoheshin, dhanë shenja sikur t`u kishte vdekur ndonjë familjar i tyre. Disa thoshin se «më në fund shoku Tito, duke parë sjelljen prej gjakatari të Rankoviqit e shkarkoi atë nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë!», derisa Ramadani si njohës i mirë i politikës sllave u thoshte:

 -Nuk e bëri këtë shkarkim Tito për të na mbrojtur neve, por pse deshi të ruante kolltukun e vet!

Pas vdekjes së Rexhep Muhametit në fillim të vjeshtës, Ramadani shkoi në Polluzhë. I kishte vdekur kaherë vajza e xhaxhait dhe dashuria ndaj nipërve ishte në kulm. Ata flakëronin për Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë. Kishin kaluar rreth gjashtë muaj që kur kishte rënë Rankoviqi dhe ata ende e mbanin fotografinë e tiranit të varur në mur. Ramadani i gjeti nipërit në sofër. Pinin raki dhe mysafir i tyre ishte edhe Komandiri i Milicisë së Ratkocit. Ramadani u bë sikur nuk e pa Komandirin. Ia lëshoi sytë fotografisë së Rankoviqit, e cila disa vjet më parë ishte varur në gozhdë.

Hiqeni atë bajgë nga muri o njerëz të prapambetur. Ai ka vdekë dhe mos ia keni frikën xhenazes!

 Iu ofrua fotografisë që ta heq nga muri. I zoti i shtëpisë, ngriti zërin dhe duke iu vërsulur fotografisë i tha se po ta prekte, do ta vriste. Ndodhi kacafytja. Fotografia ra, por nuk u thye. Ndërmjetësuan të tjerët dhe u ftohën gjakrat. Ramadanit i kishte mbetur gjoksi zbërthyer që kur i kishte thënë të zotit të shtëpisë «Shti, ta pshurrsha armën!!, ndërkohë çohet Komandiri i Milicisë, e merr foton dhe i mëshon mirë për toke. E theu copë-copë dhe tha:

-I vdekuri nuk çohet lugat. Mirë e ka Ramadani. Ligji është njëra anë e medaljes, ndërsa simpatia është diçka tjetër.

 Ra heshtje e rëndë.

Po atë vit gjatë nëntorit, më në fund u lejua që në Kosovë të ngritet edhe Flamuri kuqezi. Ndër të parët, Ramadani e bleu dhe e solli në shtëpi. Duke i mashtruar disa këshilltarë të katundit, i fton në pasdrekën e 28 Nëntorit  të vitit 1968, me arsyetimin se kujtonte 7 mujorin e vdekjes së Rexhep Muhametit dhe e shtroi sofrën në odën e burrave. Cakrronte gotat me dashamirët, nderkohë shpesh dilte përjashta. Eshrefin e kishte ngarkuar që të ofronte shkallët e gjata, një copë litari, një zinxhir, disa goxhda dhe një çekan. Pas shumë akrabacioneve, pasi edhe era frynte si për inat, ngriti flamurin në shtyllën elektrike në oborrin e tij. U kthye i buzëqeshur dhe dashamirët nuk e kuptuan. Njëri nga këshilltarët e fshatit kërkoi të dilte në toalet që gjendej në të djathtë të shtëpisë. Kur po kthehej, pa tek valvitej Flamuri kuqezi. U trazua kur e pa dhe hyri me nxitim në dhomë duke mërmëritur:

Flam...flam... flam...!

Një tjetër këshilltar i Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë, me të qeshur ia pret:

Ende s’ka ardhur dimri, e ku në dreq t`satamës e gjete flamën? Pi raki se të bën mirë!

Ndërkohë, gjithë ai gaz u shëndërrua në heshtje. Paria e katundit, posa e mori vesh se në oborr valonte Flamuri kuqezi, ikën kush me këpucë të zbërthyera.

 Nuk vonoi shumë dhe oborrin e «vizitojnë» shumë dashamirë të LKJ-së dhe pobratimë të Rankoviqit. Ramadanin e këshilluan me të mirë që ta zbriste flamurin, por kot. E kërcënuan se do ia shihte sherrin, por kot. Njëri, si ma i dashuruari në vllaznim-bashkim, thotë:

-Po nuk e hjeke ti, unë jam ai që do të hip në këtë shtyllë elektrike të mallkuar dhe do ta heq flamurin!

Ramadani, shumë i qetë i tha:

-E di që je i besueshmi i LKJ-së. Me këtë vullnet të zjarrt që ke për PKJ-në e di se mund të ngjitesh edhe në shtyllën elektrike, por nuk di si do të zbresësh në tokë.

Dhe ata e dinin kokëfortësinë e Ramadan Rexhepit. E dinin se me po atë kokëfortësi e kishte humbur librezën e anëtarit të PKJ-së. Me atë kokëfortësi e kishte fituar gjykatën në nivelin krahinor të asaj kohe, por nuk kishte dashur të kthehej në krye të Bashkisë së Çifllakut, derisa nuk do të largoheshin ata që e akuzuan. Secilit këshilltar i vajti mendja te dita kur u provokuan të gjithë anëtarët e PKJ-së së Çifllakut, që në një ditë ramazani, nga bishti i organizatës u nxor vendimi t`iu prishej agjërimi, e këtë nuk e pranoi kryesuesi. Millë kumbara e luante lojën e fydzavekut herë me sekretarin, herë me bishtin e organizatës.

Këshilltarët e katundit ikën si qeni me bisht ndër këmbë.

 Më në fund, të gjithë, e morën vesh lejimin me ligj, të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Kosovë, por njolla e zezë sot e asaj dite as Ramadanit, as pasardhësave të tij nuk iu hoq.

Një nga këshilltarët e katundit, më në fund, caktoi datën për martesën e djalit. Bashkë me kushërinjtë, formuloi listën për thirrjen e dashamirëve, të cilët do të vinin në dasmën e të birit. Shkuan për t`ia uruar sipas traditës. Si kushëri, në atë gëzim ishte edhe Ramadani. Që pas vdekjes së të atit, ishte dasma e parë që merrte pjesë. Pas gjithë asaj zymtësie, i gëzohej shpirti.

-Nuk e pashë flamurin. Nëse ende nuk e ke blerë, po shkoj vrap ta marr flamurin tim në shtëpi.

-Jo, Ramadan, jo atë flamur. Në dasmë është ftuar edhe Millë kumbara, prandaj dua ta nderoj me Flamurin e Federatës.

 Ramadanit iu morën mendët. Si është e mundur që më shumë të çmohet armiku i popullit sesa unë, vëllau i tyre, vallë? Edhe më qesharake i dukej Ramadanit kur dasmorët, për nder Millë kumbarës, përpiqeshin të flisnin gjuhën të cilën nuk e njihnin mirë.

Ecnin vitet dhe ato i përpinte errësira bashkë me të drejtat e shqiptarëve në Kosovë. Gjithçka harrohej, veç hakmarrja ndaj Ramadanit jo. Në fillim të viteve të shtatëdhjeta, për shkaqe sigurie, Ramadani migroi në Vjenë të Austrisë. Pas njëmbëdhjetë vjetësh iu hakmorën dhe e gjetën momentin. E kishin përcjellë tek u printe demonstratave të kosovarëve, të cilët shprehën solidaritetin e tyre ndaj studentëve të Universitetit të Prishtinës. Në fund të vitit 1982, posa zbriti, kumbarët e Millë Reshetarit, e kishin alarmuar Stacionin e Milicisë në Rahovec. Ia kishte ndjerë zemra se gjithë natën në ëndërr, ishte përplasur me ata. Heret kishte afruar kokën në dritare. Para se t’i pikaste milicët, kishte vërejt vrushkuj të avullit nxjerrë nga policët që e kishin rrethuar. Ata vrushkuj dukeshin në çdo skutë të oborrit. Pasoi një histori e gjatë, por si rezultat i kësaj, Ramadani humbi pasaportin dhe punën në Austri. E humbi edhe të drejtën e shkollimit të lartë për tetë djemtë e tij. Pushtetarët kishin pritur që me shkatërrimin politik të Ramadanit, do të shkatërrohej edhe familja, por kështu nuk ndodhi.

 Në prill të vitit 1997, më në fund vdiq edhe Ramadan Rexhepi. Disa nga djemtë, klandestin në mërgim, klandestin në vendlindje dhe në mënyrë krejt klandestine erdhën në ceremoninë mortore. Një kameraman, pasi bëri disa regjistrime filmike, kërkoi nga dashamirët që ta thoshin ndonjë fjalë për ta nderuar të ndjerin për herë të fundit. Të parët që e morën fjalën, ishin po ata, të cilët më së shumti e kishin raportuar te Millë kumbara. Hyseni, djali i tij i ardhur nga Norvegjia, derisa dëgjonte deklarimet e tyre, deshi të reagonte ashpër. Hajdari, fqinji që po i qëndronte afër, duke e njohur situatën dhe kokëfortësinë e Hysenit tha:

-Trus aty! Ata më së miri e kanë njohur bacin Dan, sepse gjithë jetën janë marrë me të bëmat e tij. Kush ma mirë se ata dinë të flasin dhe bëjnë mirë që flasin. Më mirë vonë se kurrë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat