Ministri i Jashtëm egjiptian në Beograd, as që bëhet fjalë për çnjohje të Kosovës

Aktuale

Ministri i Jashtëm egjiptian në Beograd, as që bëhet fjalë për çnjohje të Kosovës

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 08:48
Sameh Shoukry

Sameh Shoukry, ministër i Punëve të Jashtme i Egjiptit, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Beograd.

Kjo vizitë, ka thënë Ivica Daçiq, shef i diplomacisë serbe, nuk ka të bëjë me tërheqjen eventuale të njohjes së Kosovës nga ky shtet.

“Vizita nuk ka të bëjë me këtë. Nëse e shtroni pyetjen se a do të ndodhë kjo sot, nuk është paraparë që tërheqja e njohjes të jetë tema kryesore e bisedës”, citon media serbe të ketë thënë Daçiq.

Ai ka përkujtuar se Egjipti nuk e përkrah anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare pa përfunduar dialogu dhe se nuk e ka përkrahur anëtarësimin e Kosovës as në UNESCO dhe as në INTERPOL.

“Këtu shtrohet një pyetje e madhe se çfarë duhet të tërheqë Egjipti, pasi që ne s’e kemi parë vendimin e shkruar”, ka thënë Daçiq.

Ai ka shtuar se vizita është e rëndësishme, se ajo i paraprin vizitës së kryetarit egjiptian Abdel Fattah el-Sisi në Serbi.

“Fattah el-Sisi para disa vitesh ka thënë se Egjipti nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, se nuk voton për Kosovën”, ka thënë Daçiq.

Mediet në Egjipt, sipas shtypit të Beogradit, kanë transmetuar se Egjipti është afër tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe se marrëveshja përfundimtare mund të arrihet gjatë kësaj vizite të shefit të diplomacisë egjiptiane, Sameh Shoukry në Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat