Lista prioritare: Përfundon vetingu, hapet rruga për SPAK dhe BKH

Shqipëria

Lista prioritare: Përfundon vetingu, hapet rruga për SPAK dhe BKH

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 11:19
Foto ilustrim

Përmbyllet procesi i gjatë i vettingut të listës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që kandidonin për KLP dhe KLGJ. Kryeprokurorja thërret mbledhjen më 11 dhjetor, ku do zgjidhen 6 anëtarët e KLP-së. Cilët janë njerëzit e drejtësisë së re që kaluan vettingun dhe shpresa e krijimit të SPAK dhe BKH brenda pranverës së vitit të ardhshëm.

I fundit kandidat nga lista prioritare për KLP (Këshillin e Lartë të Prokurorisë) Besnik Cani është konfirmuar dje në detyrë, ndonëse me shumë rezerva, duke i vënë kapakun një procesi të gjatë që mbajti “peng” drejtësinë e re për shumë muaj. Në këtë mënyrë i hapet rruga krijimit të SPAK (Prokurorisë Speciale) dhe BKH (Byrosë Kombëtare të Hetimit), dy institucionet e reja të drejtësisë që do hetojnë zyrtarë të nivelit të lartë. Prokuroria e Përgjithshme menjëherë pas përfundimit të procesit të vettingut të listës prioritare, thirri Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve më 11 dhjetor, për të votuar 6 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që zgjidhen nga radhët e prokurorëve, pas përfundimit të procesit të rivlerësimit për kandidatët. “Përfundimi i procesit të vetingut për prokurorin Besnik Cani, ka mbyllur rivlerësimin për kandidatët prokurorë të KLP-së dhe sipas Prokurorisë së Përgjithshme ajo ka marrë njoftim për këtë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ditën e martë. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me shkresën nr.7995/I prot., ka dërguar listën me emrat e kandidatëve prokurorë që e kaluan me sukses procedurën e rivlerësimit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme. Mbledhja do të mbahet do të sjellë edhe krijimin e institucionit të parë të drejtësisë të parashikuar nga reforma, pas më shumë se dy vjetësh nga votimi i ndryshimeve kushtetuese. Edhe pse politika e ndërkombëtarët “krenoheshin” për reformën e re të drejtësisë, vetëm dje është bërë e mundur përfundimi i vettingut për listën prioritare për kandidatët që kishin aplikuar për të qenë pjesë e KLGJ-së dhe KLP-së.

Nga lista prioritare

Në total paraqitën 19 kandidatë për institucionin e KLP-së, por vetëm 10 arritën të kalojnë filtrin e vettingut, ndërsa nëntë prej tyre nuk u kualifikuan dhe u shkarkuan nga detyra. Edhe pse të shkarkuarit presin verdiktin e fundit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, kjo nuk e pengon nisjen e procesit për përzgjedhjen e anëtarëve që kanë kaluar testin. Tashmë pas Prokurorisë së Përgjithshme që përcaktoi datën 11 për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLP-së, i takon kryetarit të Gjykatës së Lartë që brenda 3 ditëve të përcaktojë datën për mbajtjen e mbledhjes së KLGJ-së (Këshillit të Lartë Gjyqësor). Të dy Këshillat, përbëhen nga 11 anëtarë, nga të cilët 5 vijnë nga jashtë sistemit, ndërsa 6 anëtarët e tjerë përzgjidhen sipas ndarjes në shkallë të gjykatave dhe prokurorive: 3 nga ato të Shkallës së Parë, 2 nga Apeli, ku të paktën njëri duhet të jetë nga organet që veprojnë në rrethe, dhe 1 nga Prokuroria e Përgjithshme në rastin e KLP-ës dhe 1 nga Gjykata e Lartë në rastin e KLGJ-ës. Kandidatët për në KLP, për 3 vendet nga prokuroritë e Shkallës së Parë janë Dritan Prençi, Vat Staka, Antoneta Sevdari, Gentian Osmani dhe Besnik Muçi. Nga këta Dritan Prenci, është i vetmi nga jashtë Tiranës e pritet të kalojë automatikisht. Të tjerët do t’i nënshtrohen votimit për dy poste. Për dy vende nga Prokuroritë e Apelit janë vetëm dy kandidatë, Arben Dollapaj nga Apeli i Shkodrës e dhe Bujar Sheshi, nga Apeli i Krimeve të Rënda. Ndërsa për një vend nga Prokuroria e Përgjithshme janë kualifikuar dy prokurorët Anila Leka dhe Kostaq Beluri. Me këta emra që do kalojën në përzgjedhje për gjashtë vendet e përcaktuara përmbyllet KLP. Ndërsa në pritje të përcaktimit të datës së mbledhjes do të jetë edhe lista tjetër me anëtarët e KLGJ (Këshillit të Lartë Gjyqësor). Për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, në përfundim të procesit të rivlerësimit, janë 6 gjykatës së shkallës së parë që janë konfirmuar. Prej tyre Marçela Shehu, nga gjykata e Kurbinit automatikisht siguron vend në KLGJ-ën e ardhshme, ndërsa 5 të tjerët Manjola Xhaxho, Alma Brati, Astrit Faqolli, Dritan Hallunaj, dhe Brunilda Kadi do të kalojnë në votim për dy vendet e tjera. Ndërsa në dy vendet e tjera me gjyqtarë të Apelit, janë konfirmuar tre kandidatë, Ilir Toska, Nertina Kosova dhe Brikena Ukperaj, nga Apeli i Vlorës. Kjo e fundit kalon automatikisht, duke qenë se plotëson kriterin për të qenë nga Gjykata jashtë Tiranës. Për vendin e përfaqësuesit nga Gjykata e Lartë, i vetmi i rikonfirmuar në detyrë, pas procesit të rivlerësimit, është anëtari i saj Medi Bici.

SPAK e BKH, “dallëndyshet” e drejtësisë së re

Përfaqësuesit politik përbetoheshin e premtonin se brenda pak muajsh do të niste procesi i vettingut e shumë shpejt do krijoheshin dy institucionet shtyllë të sistemit të ri të drejtësisë siç janë SPAK (Prokuroria Speciale) dhe BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit), por vetëm pas dy vitesh nga miratimi i Reformës në Drejtësi është mundësuar krijimi i institucioneve. Procesi i vettingut eci në ritme mjaft të ngadalta dhe me gjithë vlerësimet nga institucionet ndërkombëtare, Kolegji i Pavarur i Kualifikimit që ishte filtri e parë e kryesor i vettingut, e zvarriti për shumë muaj procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vetëm ditën e djeshme është përmbyllur verifikimi i listës prioritare. Nga parashikimet mendohet se në buzë të pranverës të jenë të ngritura dhe të nisin funksionimin SPAK dhe BKH, por ky parashikim edhe mund të zgjatet në kohë, duke marrë parasysh edhe ngadalësinë e deritanishme të procesit të vettingut në tërësi. Gjithashtu ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë i hap rrugë zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm, si dhe ngritjes së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) nga e cila do të varet më pas dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, dy organet që pritet të shënojnë një kthesë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor do të zëvendësojë rolin që ka luajtur deri më tani Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke rikthyer normalitetin në funksionimin e gjyqësorit. Për shkak të procesit të vettingut sistemi aktual i drejtësisë është thuajse në kolaps. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë praktikisht jashtë funksionit. Në Gjykatën Kushtetuese kanë mbetur vetëm dy anëtarë, nga nëntë që ka në organikë, çka e bën të pamundur marrjen e vendimeve. Gjithashtu edhe Gjykata e Lartë është në të njëjtat kushte dhe prej shumë muajsh nuk shqyrton dosjet që presin gjykim për shkak se nuk krijojnë dot trupa gjykuese për kolegjin penal dhe civil.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat