Frika që mban zgjuar banorët e Elbasanit

Shqipëria

Frika që mban zgjuar banorët e Elbasanit

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

Zaranika përroi që përshkon qytetin e Elbasanit është nga ata përrenj që në stinën e dimrit shkakton situata të rënda me përmbytjet e disa lagjeve.

Gjendja e tij sot është skandaloze, por bashkia thotë se priten fonde për investimin në të.

5.2 kilometra i gjatë nga diga në veri të Elbasanit deri në grykëderdhjen Shkumbin. Është Zaranika, me shtrat zgavrash dhe meremetime skandaloze. Në të dy anët përroit shtrihen disa lagje të qytetit. Shumë pallate dhe banesa me themelet ngjitur.

Për përroin lumë të Zaranikës në Elbasan është folur shumë. Specialistët thonë se 70% e gjatësisë së tij ka pësuar amortizim të thellë. Kurse e mbushur me gurë dhe inerte është jashtë funksionit.

Çdo vit aty shpenzohen qindra milionë lekë. Por sapo ndreqet një zgavër hapet një tjetër më e madhe. Me ardhjen e dimrit banorët përfshihen në panik. Nëse përroi del nga shtrati i gjithë qyteti përmbytet.

Pak vite më parë përroi i Zaranikës kaloi nën administrimin e bashkisë. Studimet për zgjidhjen e problemit kanë kohë që janë dorëzuar. Vetëm për digën nevojiten të paktën 5-6 milionë Euro. ABC News u interesua në Bashkinë e Elbasanit.

Drejtues të saj treguan se projektet në ministri janë gati. Janë bërë vetëm tendera te vegjël, por që nuk kanë sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm. Kështu edhe këtë dimër elbasanasve, sidomos të kësaj ane, do t’u duhet të kalojnë netë pa gjumë nga frika se mos përfundojnë në lumë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat