Festohet 29 nëntori - 74-vjetori i çlirimit të Shqipërisë

Shqipëria

Festohet 29 nëntori - 74-vjetori i çlirimit të Shqipërisë

Nga: Lili Verdha Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 23:48
Ilir Meta

- META: "Mirënjohje për të gjithë partizanët, heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Nacional-Çlirimtare! .. Lavdi të përjetshme!" -

- RAMA: "Nderim Dëshmorëve të Atdheut!" -

TIRANË, 29 Nëntor 2018 (ATSH – L. Verdha) - Sot në gjithë Shqipërinë u festua 74-vjetori i çlirimit të Atdheut me 29 Nëntor 1944 - datë kur Brigada e 22-të Sulmuese e partizanëve të Shqipërisë së Mesme, sëbashku me Brigadën e 6-të Sulmuese të Shqipërisë së Jugut, çliruan qytetin e Shkodrës, duke shënuar kështu çlirimin e gjithë Shqipërisë prej okupatorëve nazi-fashistë. Pas çlirimit të plotë të Shqipërisë, brigadat partizane shqiptare e ndoqën ushtrinë gjermane deri në Tuz dhe Novi Sad të ish-Jugosllavisë, për çlirimin e së cilës dhanë jetën 200 të rinj e të reja shqiptarë. Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare dhanë jetën me pushkë në dorë mbi 28.000 partizanë, ose një dëshmor për çdo kilometër katror të Shqipërisë.

Festimet e 29 Nëntorit filluan sot paradite me homazhe dhe vendosje kurorash në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe pranë monumentit "Nëna Shqipëri" në Tiranë. Në Ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, përfaqësues të shoqërisë civile, veteranë të Luftës dhe punës, qytetarë të Tiranës dhe zonave përreth, studentë etj.

Presidenti Meta, kryetari i Kuvendit Ruçi, Kryeministri Rama, Kryebashkiaku Veliaj dhe organizatat e veteranëve të Luftës vendosën kurora me lule dhe u përulën para monumentit "Nëna Shqipëri". Duke uruar 29 Nëntorin, Presidenti Meta shprehu "Mirënjohje për të gjithë partizanët, heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të cilët sakrifikuan gjithçka për çlirimin e Shqipërisë. Lavdi të përjetshme!"

Në Shkodër, ku u festuan njëkohësisht si lirimi i qytetit ashtu dhe lirimi i Atdheut, në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve të Shkodrës, mori pjesë zëvendës-kryeministrja Senida Mesi. Ndërkohë, në qytetet e tjera, krahas drejtuesve vendorë ishin të pranishëm edhe ministra të Qeverisë.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat