A ka ndikim politik në procesin e vettingut të njerëzve të drejtësisë?

Shqipëria

A ka ndikim politik në procesin e vettingut të njerëzve të drejtësisë?

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 17:00
Erida Skëndaj

Ndonëse kryetarja e KSHH-së, Erida Skëndaj foli për ata që janë skualifikuar në studion e “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, fokusi i raportit ka qenë tek ata që janë kualifikuar dhe aty lihet të nënkuptohet se ka një “mbyllje të njërit sy” për disa nga kriteret që duhej të gjenin zbatim te këta njerëz.

E pyetur nga gazetari Dyrnjaja, nëse po ndodh një lloj dystandardizimi në lidhje me kualifikimin e disa prej këtyre njerëzve të drejtësisë, Skëndaj tha se raporti është fokusuar në rreth 65 për qind të vendimeve të dhëna nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

“Sigurisht i kemi parë të dyja aspektet, edhe personat që janë skualifikuar, edhe ata që janë konfirmuar, me një lupë shumë të kujdesshme për të parë pikërisht nëse ka pasur standarde të dyfishta. Edhe pse nuk është e thjeshtë që këto standarde të dyfishta të identifikohen në këtë fazë fillestare të procesit”, shpjegoi Skëndaj.

Por pse atëherë për disa raste rivlerësimi janë shqyrtuar vetëm një apo dy, nga tre kritere në total që ka procesi i vettingut? A është kjo një “mbyllje syri”? A mund të hidhen hije dyshimi se ka pasur favorizime?

“Kjo ka pasur një justifikim të caktuar. Ndoshta vettingu është fokusuar vetëm në një kriter, sepse edhe me një të tillë – nëse nuk e përmbush, – mund të skualifikohesh. Problemi është në fakt se, a mos ndoshta paragjykohet procesi duke fokusuar vettingun pikërisht tek ai kriter, për të cilin hetimi administrativ i organeve të vettingut ka dalë me probleme, siç ka qenë konkretisht kriteri i pasurisë? Sa i përket kësaj, edhe në raportin tonë kemi një qasje të dyzuar. Ka ekspertë të angazhuar në monitorim dhe që thonë se, në kuadër të transparencës para publikut dhe për të mos e paragjykuar procesin në frymën kushtetuese dhe të ligjit të vettingut, është në mënyrë të natyrshme i konceptuar në këto kritere dhe nuk mund të ndahen për të parë një apo dy, kur ato kanë probleme dhe më pas sjellin shkarkim. Qasja tjetër ka qenë që ligji i vettingut parashikon shkarkimin qoftë edhe me një kriter, në funksion edhe të parimit të ekonomiksit dhe të shpejtësisë së procesit, atëherë përse do të duhej të analizoheshin dy kriteret e tjera, kur qoftë edhe me njërin, kur ke një pasuri të pajustifikueshme dhe burime të paligjshme për krijimin e kësaj pasurie, mund të shkarkohesh automatikisht. Unë personalisht i përkas rrethit të juristëve që mendojnë se vettingu do të duhet të bëhet me të trija kriteret”, deklaroi Erida Skëndaj.

Në Top Channel janë transmetuar herë pas here materiale për individë të ndryshëm, që kanë lënë të dyshohet se ka një lloj artifice që i jep atyre prioritet në raport me dyshimet që kanë pasur apo pamundësinë për të justifikuar pasurinë.

Zonjën Skëndaj, gazetari Dyrnjaja e pyet: A është kjo një pjesë, ku mund të themi se ka një ndikim politik, apo po “mbyllet njëri sy” për shkak se rrëzohet i gjithë sistemi dhe do të ishte e pamundur të ngriheshin organet e reja të drejtësisë?

“Nga 48 vendime të dhëna deri në fund të muajit tetor, 22 prej tyre janë vendime shkarkimi. Nëse do të duhet të jap një konkluzion sa i takon ndikimit politik në vendimmarrje, ne e kemi parë nga aspekti i standardeve të një procesi të rregullt ligjor, e kur kemi parë anëtarët e këtyre komisioneve që kanë shprehur mendime në pakicë, ose mendime paralele, duket një qasje shumë e mirë sa i takon aspektit të pavarësisë së brendshme që ka institucioni. Nëse do të kishin ndikim politik, do t’i kishim të gjithë anëtarët pro apo kundër subjekteve të caktuara”, deklaroi zonja Skëndaj.

Por a e përjashton kryetarja e KSHH-së ndikimin politik në këtë proces?

“Bazuar mbi aspektin ligjor mbi të cilin e kemi shqyrtuar ne, nuk kemi parë nota të aspektit politik. Megjithatë, në mënyrë kategorike dhe absolute kjo nuk mund të përjashtohet. Ajo që ju ngrini me të drejtë ka të bëjë me pjesën e proporcionalitetit. Pra, nëse gjyqtarët apo prokurorët kanë bërë shkelje të rënda, për të cilat nuk mund të justifikohet qëndrimi në detyrë; apo shkeljet kanë qenë disi më të lehta dhe në funksion të parimit të proporcionalitetit nuk mund ta çojmë deri në shkarkim. Këtu ne kemi parë standarde të dyfishta”, u shpreh Skëndaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat