Kumbaro: Mbështetje për integrimin e komunitetit rom në Shqipëri

Shqipëria

Kumbaro: Mbështetje për integrimin e komunitetit rom në Shqipëri

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 17:36
Mirela Kumbaro

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në konferencën “Kremtimi i identitetit europian dhe kulturës së romëve në Shqipëri”, u shpreh se “respekti, nderi, e njëkohësisht dinjiteti: është vlera më e madhe në të cilën beson populli rom”.
“Njohja e tjetrit fillon nga respekti: Në kohët moderne kur kufijtë etnikë nuk janë më ngujime të gurta, nuk janë kulla të mbyllura dhe frëngji qorre, por ura përbashkuese, ku popujt takohen, këmbehen, japin e marrin, shkëmbejnë vlerat duke pasuruar veten, është mirë që marrëdhëniet tona me këtë komunitet të kenë për bazë pikërisht këtë fjalë: Respektin. Respektin për traditat e veçanta, për kulturën, për mënyrën sesi e shikojnë dhe konceptojnë jetën: perëndimi i ngrysur ka nevojë për mirësinë dhe gëzimin me të cilën e jeton ky komunitet, e sidomos mënyrën e perceptimit të kohës dhe hapësirës”, u shpreh Kumbaro.

Muzika është një tjetër element shumë i rëndësishëm i kulturës së romëve sipas Kumbaros, ku është koncentruar e gjithë trashëgimia e tyre, filozofia e jetës, rrëfimi e kujtesa. Këto mënyra të ndryshme perceptimi të botës, këto vlera të veçanta të komuniteteve të ndryshme ndoshta kanë nevojë të gërshetohen duke kuptuar se asnjëra nuk është e përsosur dhe secila ka nevojë për tjetrën.

“Pas dy luftërave shkatërrimtare të shekullit të kaluar dhe vatrave të ndezura ende sot, bota e ka kuptuar më së miri se nuk mund të jetojë në paqe, nuk mund të ndërtojë një të ardhme nëse nuk u bën vend të gjithëve në një sofër të përbashkët, duke respektuar gjithsecilin. Gishtat e dorës janë të gjithë të ndryshëm, por dora nuk mund të kryejë funksionet siç duhet pa i bashkuar të gjithë ata. Ky është edhe kuptimi që merr diversiteti dhe respekti për vlerën që sjell gjithsecili,” vijoj Kumbaro.

Ministria e Kulturës po punon për integrimin e vlerave kulturore të të gjitha pakicave kombëtare në përgjithësi e në veçanti për komunitetit rom në të gjitha veprimtaritë kombëtare të trashëgimisë kulturore jomateriale.

“Ministria e Kulturës ndihmon financiarisht dhe në drejtimin organizativ projektin Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Përmeti Multikulturor” si e vetmja veprimtari kulturore artistike që përfshin folklorin e pakicave kombëtare që bashkëjetojnë në vendin tone. Në të gjitha veprimtaritë e përvitshme kombëtare të trashëgimisë shpirtërore që zhvillon Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike janë ftuar të marrin pjesë grupe të ndryshme nga pakicat kombëtare, ku mund të përmendim Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, Festivalet Folklorike Tipologjike Kombëtare. Po kështu janë mbështetur në vazhdimësi veprimtari kombëtare e lokale kulturore, artistike, sportive, rinore, në fushën e botimeve, etj. ku është i përfshirë komuniteti rom. Sepse besojmë fort se kultura është e vetmja rrugë përmes të cilës mund të njohim, të duam e të respektojmë tjetrin, duke krijuar kësisoj bazën për ndërtimin e një marrëdhënie të shëndetshme e afatgjatë,” përfundoi Kumbaro. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat