“Llalla”, letërporosi në Gjermani. Gjykata e Lartë rrëzon rekursin për sekuestron preventive

Shqipëria

“Llalla”, letërporosi në Gjermani. Gjykata e Lartë rrëzon rekursin për sekuestron preventive

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 16:00
Adriatik Llalla

Shqipëria hedh sytë nga Gjermania, me shpresën se do të ndihmohet nga partnerët për të hedhur dritë në hetimet ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, me mandat në këtë detyrë nga viti 2012 deri në dhjetor të 2017-s, gjatë të cilit u përplas edhe me ish-ambasadorin amerikan Donald Lu.

Siç bëhet me dije, Prokuroria i ka përcjellë një letërporosi drejtësisë gjermane, për informacion mbi hyrje-daljet e ish-Prokurorit të Përgjithshëm në këtë shtet, nëse posedon apo jo pasuri dhe nëse ka pasur ndonjëherë probleme me autoritetet gjermane.

Këto të dhëna kërkohen në funksion të dosjes së regjistruar fillimisht në Durrës, e më pas të transferuar te Krimet e Rënda, për dyshimet se ish-kryeprokurori ka pastruar parà, nuk ka deklaruar paratë në kufi, si dhe ka kryer deklarim të rremë.

Por, nga fronti i hetimeve nuk ka asgjë të re, pasi ende nuk ka prova bindëse për akuzën, shto edhe heshtjen e gjermanëve ndaj letërporosisë shqiptare. Në këto kushte, i vetmi lajm i mirë për ish-vartësit e Llallës që po e hetojnë është vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila ka refuzuar rekursin e tij për heqje të sekuestros preventive të 22 mijë metrave tokë arë dhe një apartamenti në Durrës.

Këto pasuri u bllokuan gjatë verës nga Krimet e Rënda, vendime që më pas u lanë në fuqi nga të gjitha shkallët e gjyqësorit. Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla nuk është pyetur ende nga Prokuroria.

Pasi kishte mbyllur mandatin pesëvjeçar si Prokuror i Përgjithshëm, viti 2018 ishte një vit sfidues për Adriatik Llallën. Amerikanët e shpallën “non grata”. Vettingu i hoqi të drejtën për të qenë pjesë e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Tashmë fati i tij ndodhet në dorën e dy grave të Akuzës, njëra që është zëvendësuesja e tij në detyrë, e që më 19 dhjetor mbush një vit si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme; e tjetra që komandon Krimet e Rënda. Por njëkohësisht, të dyja drejtuese kanë qenë gjithashtu shefe në epokën e Llallës, njëra si shefe seksioni e Task Forcës në Shkodër dhe tjetra zëvendësdrejtuese e Prokurorisë së Rrethi të Durrësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat