Vdekja e George H. Bush, Berisha: Amerika humbi heroin e pavdekshëm të lirisë

Shqipëria

Vdekja e George H. Bush, Berisha: Amerika humbi heroin e pavdekshëm të lirisë

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 16:05
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka shprehur ngushëllime familjes Bush për humbjen e ish-presidentit George H. Bush në moshën 94-vjeçare. 

Me një mesazh të ndjerë në faqen e tij në “Facebook” Berisha shkruan se dielli u shua përgjithmonë për Heroin e lirisë së kombit amerikan dhe mbarë njerëzimit.

STATUSI I BERISHËS

Dielli u shua për Heroin e lirisë së kombit amerikan dhe mbarë njerëzimit, Presidentin George H. Bush!

Të dashur miq, për mikun e madh të shqiptarëve, heroin e lirisë së kombit amerikan dhe mbarë njerëzimit, ish-presidentin e SHBA, George H. Bush dielli u shua përgjithmonë!
Kjo është një ditë dhimbje dhe zie për kombin e madh amerikan, që kishte tek Ish- presidenti Bush heroin e pavdekshëm të lirisë së tij, i cili në moshën 18- vjeçare, si pilot i flotës së SHBA luftoi për lirinë e vendit të tij dhe mbarë njerëzimit. SHBA dhe kombi amerikan humbën shërbëtorin e tyre më të përkushtuar të kohës, amerikanin e madh, burrin, shtetasin që me virtytet, integritetin, fisnikërinë, vizionin e tij përmbushi me nder e dinjitet në karrierën e tij brilante të gjitha detyrat, misionet e mëdha, në diplomaci, Kongresin, drejtimin e Agjencisë Qendrore të Zbulimit dhe në Shtëpinë si Zëvendës President dhe më pas si Presidenti i 41 i SHBA.

Por sot në dhimbje dhe zi janë popujt liridashës të botës dhe në veçanti popujt që vuajtën nga diktaturat komuniste, të cilët humbën sot mikun e madh të çlirimit të tyre nga regjimet e tyre totalitare.Presidenti i George H. Bush përdori fuqinë e vendit të madh të lirisë për të mbështetur rënien e perdes së hekurt dhe çlirimin e popujve të shtypur nga regjimet komuniste. Ai, si një shtetar vizionar mbështeti rënien e murit të Berlinit si fitore të lirisë së kombit gjerman por dhe mbarë njerëzimit.

Në dhimbje dhe zi është sot kombi ynë, që kishte tek presidenti George H. Bush njërin prej miqve më të dashur, më të mëdhenj, më kryesor të të gjitha kohërave të lirisë së tij.Presidenti George H Bush ishte mbështetësi më kryesor i përpjekjeve të shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri dhe me ultimatumin, vijën e kuqe të krishtlindjeve të vitit 1992, ai mbrojti qytetarët e Kosovës nga barbaritë e Kasapit të Ballkanit.

Por sot në dhimbje jemi dhe unë dhe familja ime, pasi kam humbur mikun tim më të shquar, më të dashur. Unë kam pasur fatin dhe privilegjin e veçantë të gëzoj miqësinë e tij, të cilën do ta ruaj përjetë si gjënë më të çmuar. Në hapat e mia të para në politikë kam pasur nderin e madh të pritem nga Presidenti George H Bush në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1992 si presidenti i sapo zgjedhur i Shqipërisë. Më pas kam pasur kënaqësinë e veçantë të pres mikun tonë të madh dhe zonjën Barbara Bush dy herë në Shqipëri në vizitat e tij miqësore si ish- president i SHBA si dhe të pritem prej tyre me bujari dhe përzemërsisht në një vizitë private se bashku me Lilin në shtëpinë e tyre në Huston, Teksas.

Me këtë rast shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Presidentit George Ë. Bush dhe të gjithë familjes së madhe Bush, autoriteteve dhe kombit të madh amerikan dhe i lutem Zotit sëbashku me ta që shpirti i ish-presidentit Bush, mikut tim të madh dhe të kombit shqiptar, heroit të lirisë së kombit amerikan dhe mbarë njerëzimit, të prehet në paqe! sb

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat