Shqipëri, mesazhe ngushëllimi për vdekjen e George H.W.Bush

Shqipëria

Shqipëri, mesazhe ngushëllimi për vdekjen e George H.W.Bush

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 21:56
George H.W.Bush

Në Shqipëri autoritetet shtetërore dhe politike të vendit, shprehën sot dhimbje për ndarjen nga jeta të Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara George H.W. Bush. Presidenti Ilir Meta u shpreh “i pikëlluar”, ndërsa theksoi se George H.W.Bush “ishte një burrë i madh shteti dhe një mbështetës i fortë i lirisë”.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati përmes një postimi në Twitter shkroi se ndjehej “i trishtuar” nga lajmi për ndarjen nga jeta të Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara. “Kur Shqipëria gjeti demokracinë në vitin 1990 mbështetja e tij ishte e domosdoshme”, shprehet ministri Bushati duke shtuar se “bota ka humbur një burrë të madh Shteti i cili plazmoi historinë e pas Luftës së ftohtë”.

Kryetari demokrat Lulzim Basha foli për “një lajm të hidhur”. Ai vuri në dukje se “shqiptarët do ti jenë përjetë mirënjohës për mbështetjen vendimtare për demokracinë në Shqipëri dhe sigurinë në Kosovë”.

Një dedikim të gjatë pati ish presidenti dhe ish kryeministri Sali Berisha i cili është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti George H.W. Bush. “Kombi shqiptar është në dhimbje dhe zi sot. Ai kishte te presidenti George H.W.Bush njërin prej miqve më të dashur, më të mëdhenj e më kryesor të të gjitha kohërave të lirisë së tij. Ai – thekson zoti Berisha - ishte mbështetësi më kryesor i përpjekjeve të shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri dhe me ultimatumin, vijën e kuqe të krishtlindjeve të vitit 1992, ai mbrojti qytetarët e Kosovës nga barbaritë e Kasapit te Ballkanit”, shkruajti zoti Berisha, duke kujtuar dhe takimet e mëpasshme që ka patur me të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat