Ish-kreu i KQZ: Opozita nuk i djeg mandatet, do kthehet në Kuvend

Shqipëria

Ish-kreu i KQZ: Opozita nuk i djeg mandatet, do kthehet në Kuvend

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 22:11
Kuvendi i Shqiperise

Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume u shpreh në studion e Report Tv se opozita nuk do shkojë drejt djegies së mandateve, por do rikthehet në Kuvend. Sipas Kumes, PD-LSI janë në limitet e afatit ligjor. Ai shton se kanë kaluar 5 muaj nga nisja e bojkotit pasi llogariten edhe ditët e pushimit, përfshirë këtu edhe muajin gusht nga ku nis numërimi.

“Opozita do vijë në Kuvend, nuk do shkojë drejt djegies së mandateve. Fillon dhe numërohet 6 muaj, nga e shtuna dhe të diela si dhe ditët e pushimit”, tha Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ

Edhe pse deputetët mungojnë, pavarësisht kësaj ata paguhen rregullisht. Kume thotë se duhet të ndryshojë edhe kjo praktikë. Ai shton se deputetët duhet të trajtohen si një i punësuar që refuzon të shkojë në punë dhe për rrjedhojë nuk duhet të paguhet.

“Të jesh në deputet do të thotë të jesh i punësuar. Si çdo i punësuar që nuk paraqitet në punë, nuk duhet të marrë pagën. E njëjta gjë duhet të funksionojë edhe për deputetët. Për atë që quhet punë e deputetit nuk duhet të përfshihet vetëm pjesëmarrja në komisione dhe seanca, por të gjitha ato detyra që merr përsipër deputeti”.

Reforma Zgjedhore
Kume thotë se nëse konsensusi do prevalojë, Kodi ri zgjedhor mund të miratohet përpara festës së Krishtlindjeve siç edhe kanë paralajmëruar përfaqësuesit e maxhorancës.

“E rëndësishme është se çfarë do realizojë kjo tavolinë. Komisioni ka vepruar ndryshe nga herë te tjëra. Ky komision ka organizuar një punë mjaft të madhe për të marrë propozime, ka pasur mjaft raste ku janë dhënë ide për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe po ashtu jemi në dijeni të faktit që komisioni pasi ka marrë këtë informacion, ka vënë në punë ekspertë që po zbardhin propozimet, të cilat do jenë pjesë e rëndësishme e ndryshimeve në Kod”, thotë Kume.

Në të kundërt, shton Kume, nëse nuk do ketë konsensus maxhorancë-opozitë, zgjedhjet vendore të 30 qershorit do zhvillohen me Kodin Zgjedhor aktual i cili mbart mjaft problematika të evidentuara edhe nga OSBE/ODIHR.

“Nëse nuk miratojmë Reformën Zgjedhore do të thotë se nuk kemi plotësuar as edhe një prej detyrimeve të BE, krahas Reformës në Drejtësi. E shoh këtë si një parathënie të një procesi zgjedhor që zor se do të plotësojë standardet”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat