Basha: Si do e zgjidhja Unazën e re, nëse do isha kryeministër

Shqipëria

Basha: Si do e zgjidhja Unazën e re, nëse do isha kryeministër

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 22:04
ë Lulzim Bash

I pyetur nga media, kreu i PD-së Lulzim Basha ka treguar mbrëmjen e sotme se si do ta zgjidhte çështjen e banorëve të Unazës së re nëse do të ishte kryeministër.

Basha ishte sot sërish në krah të banorëve të Unazës së re në ditën e 28 të protestës së tyre.

Pyetje: Zoti Basha, po ju pyes drejtpërdrejt. Keni qenë kryebashkiak, jeni kreu i opozitës, ndoshta kryeministër i ardhshëm. Qytetarët që mbeten në mes të rrugës,qytetarët që po në mes të rrugës kërkojnë zgjidhjen, më shumë sesa 27 ditë. Kush mund të jetë zgjidhja sipas jush? Është e vlefshme që të bllokojmë rrugën çdo pasdite kur punimet mund të vazhdojnë e palët mund të diskutojnë? Si do të jetë zgjidhja?

Basha: E para e punës, se si do të jetë zgjidhja ua thashë edhe herën e fundit. Unë do ta anuloja këtë tender korruptiv, do të hetoja e çoja para drejtësisë dhe në burg të gjithë ata që janë përfshirë në këtë skemë të madhe korrupsioni. Do të vlerësoja projektin nga fillimi, nevojshmërinë, dobishmërinë e projektit për qytetin, për komunitetin, për transportin urban dhe interurban. Pasi të bindesha unë, ministri im, drejtoria e rrugëve, për vlerën e këtij projekti, do të konsultohesha me banorët, siç është e detyrueshme me ligj, do të ndaja buxhet të mjaftueshëm për shpronësimin e banorëve, duke respektuar pronën e çdo banori sipas precedentit juridik, siç e ka kushtetuta, dhe vetëm pas kësaj, do të fillonim punimet me një kosto të përballueshme për buxhetin dhe me një tender me garë. Asnjëra prej këtyre nuk ka ndodhur, tender nuk ka patur, garë nuk ka patur. Nuk ka patur transparencë. Është shkelur ligji për shpronësimet, është shkelur ligji për banesat, është shkelur ligji për prokurimet publike, është shkelur ligji për ndërtimin e infrastrukturës, është shkelur kushtetuta dhe po dhunohen ditë për ditë qytetarët vetëm që Edi Rama, Agai i Surrelit, të grabisë një shumë astronomike këtu, në këtë projekt, pa treguar në asnjë moment si u bë projekti, çfarë vlere ka, pse po harxhohen këtu aq para sa ç’harxhohen në vit për buxhetin e arsimit në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që pjesë të tjera të Unazës nuk ekzistojnë akoma? Pse po investohet në këtë pjesë të Unazës që ekziston, pse nuk pati garë, pse është tërhequr kompania Vëllezërit Hysa në të tre lotet apo ka bërë ofertë dhe oferta është zhdukur? Pse një nga kompanitë është e regjistruar në parajsë fiskale, kush fshihet pas këtij regjistrimi? A fshihet vetë Edi Rama apo familjarë të tij pas kompanisë së regjistruar në parajsë fiskale në Delaware të SHBA? Sa milionë euro të taksapaguesve shqiptarë që do të përfitohen nga kjo vjedhje do të përfundojnë në kontot bankare të kësaj parajse fiskale? Për çfarë do të përdoren? Këto janë pyetjet që kam sot unë e që ka çdo qytetar. Dhe jam i sigurtë që i keni edhe ju si media dhe unë ju ftoj që si media të bëni transparencë, të vazhdoni të hetoni.

Sikundër, dua të dënoj sot dhunën e ushtruar dhe mbi kameramanët, dhe mbi gazetarët. Provokimet e djeshme, shoqërimi i 5 qytetarëve, në mënyrë fare të panevojshme, është një provokim, siç më thanë qytetarët edhe sot këtu. Po mbaronte protesta, gjithçka ishte e qetë dhe në mënyrë fare të papritur, me urdhër politik, u shoqëruan 5 qytetarë që po protestonin për shtëpitë e tyre dhe u dhunuan kameramanët dhe mediat, që gjatë kohës së shoqërimit të tyre, po mundoheshin të filmonin dhe të bënin transparencën para publikut.

Kjo që po ndodh këtu pra ka të bëjë jo thjesht me fatin e këtyre familjeve. Këtu po bëhet autopsia e regjimit të ‘Rilindjes’. Këtu po tregohet se si ka rënë shteti. Se si shkelet kushtetuta e nuk ka gjykatë kushtetuese ta ndalë. Se si kryeministri kryen vepra penale dhe prokurorja e përgjithshme e përkohshme është fshehur, është future poshtë tavolinës dhe ka frikë të nxjerrë fytyrën e të shprehet për kallëzimin që kanë bërë qytetarët. Se si vidhet në mes të ditës dhe se si kërcënohen qytetarët në mes të natës. Dhe se si në vend që të mbahen përgjegjës për këtë vjedhje, krenohen dhe kërcënojnë qytetarët.

Kjo është pasqyra e vërtetë se ku ka përfunduar Shqipëria me një të çmendur, me një të babëzitur, i cili në mënyrë të paligjshme do të plaçkisë pronën e këtyre qytetarëve, t’i nxjerrë në mes të katër rrugëve për të ndërtuar kulla shumëmilionëshe dhe për të grabitur miliona euro me një tender korruptiv.  Kjo është e vërteta e kësaj drame këtu dhe ne jemi në krah të qytetarëve, në radhë të parë për shkak të dramës që po përjetojnë, dhe është detyra jonë të jemi në krah të tyre, është detyra ime të jem në krah të tyre, do të jem në krah të tyre, për t’ju dhënë forcë, për t’ju dhënë kurajo, për të qenë bashkë me ta në çdo moment të kësaj përballjeje, por edhe për t’i thënë çdo shqiptari që kjo i pret në qoftëse nuk ngrihemi të gjithë se bashku ta largojmë këtë të keqe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat