Samiti i Klimës, Meta: Ndava shqetësimin e qytetarëve që vuajnë pasojat katastrofale

Shqipëria

Samiti i Klimës, Meta: Ndava shqetësimin e qytetarëve që vuajnë pasojat katastrofale

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 14:47
Ilir Meta

Presidenti Meta ishte i pranishëm sot në Poloni ku foli në samitin ndërkombëtar të klimës.

Kreu i Shtetit u shpreh për masat tranzitore që ulin efektin serrë.

“Në punimet e Samitit të Klimës në Katovicë, theksova rëndësinë e balancës pozitive mes zhvillimit të qëndrueshëm dhe masave tranzitore që ulin efektin serrë.

Ndava edhe shqetësimin e qytetarëve shqiptarë, të cilët vuajnë pasojat e katastrofave natyrore prej ndryshimit klimatik", shprehet ai.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës:

“Në një kohë rekord të ratifikimit, palët e përfshira që kanë edhe detyrime në Marrëveshjen e Parisit kanë kaluar nga epoka e shpresës në epokën e zbatimit konkret të saj. Kjo Marrëveshje, së bashku me Axhendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ofrojnë një rrugë të qartë për të ecur para e për të adresuar ndryshimet klimatike si dhe zhvillimin e qëndrueshëm në shkallë globale.

Shqipëria, si një vend mesdhetar, është mjaft e ndjeshme ndaj ndryshimeve në trendet klimaterike, ndaj ngjarjeve të shpeshta dhe ekstreme që ndikojnë në shumë rajone, sektorë të turizmit dhe të energjisë, por mbi të gjitha mbi jetën e popullit tonë.

Këto dukuri kanë rritur vetëdijen tonë dhe janë ndeshur me përgjigjen tonë të thjeshtë, por të vendosur, për të vazhduar me zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes së Parisit.

Ne kemi miratuar Kontributin e Përcaktuar Kombëtar me angazhimin për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit në nivelin 11.5%.

Nëpërmjet Komunikimeve Kombëtare Periodike, kemi njoftuar palët e përfshira dhe publikun shqiptar mbi tendencat aktuale të ndryshimeve klimaterike dhe pasojat e tyre në Shqipëri.

Kemi hartuar një Strategji për Ndryshimet Klimaterike dhe Planin e saj të Veprimit për zbutjen, duke qëndruar besnikë ndaj angazhimeve të marra në Marrëveshjen e Parisit dhe objektivin e Kontributeve të Përcaktuara Kombëtare (NDC). Kjo strategji përfshin tri komponentë kryesorë: Reduktimin, Adaptimin dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.

Së shpejti do të kemi funksional një sistem kombëtar që ruan një inventar të emetimeve të gazrave serrë dhe masave të nevojshme për zbutjen dhe përshtatjen, në vazhdën e ligjit të ri mbi Ndryshimet Klimaterike, në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian.

Si një vend kandidat për në Bashkimin Europian, Shqipëria i ka shkrirë politikat për klimën dhe energjitë në një Plan të Integruar Kombëtar, në përputhje gjithashtu edhe me Udhërrëfyesin e Gjashtë për Ballkanin Perëndimor për Tregjet e Qëndrueshme Energjetike Kombëtare dhe Rajonale.

Ne kemi zgjeruar bashkëpunimin ndërkufitar me vendet e rajonit për çështjet mjedisore, ku asistenca e BE-së për financimin dhe rritjen e kapaciteteve ka qenë e rëndësishme si dhe ka shërbyer për përfitimin e drejtpërdrejtë të komuniteteve vendore.

Teksa e pranojmë plotësisht Deklaratën aktuale të Silesisë për Solidaritetin dhe Tranzicionin e Drejtë, më lejoni të theksoj rëndësinë e krijimit të një ekuilibri pozitiv midis zhvillimit të qëndrueshëm dhe masave tranzitore, të cilat reduktojnë emetimet e gazit serrë.

Në përfundim dëshiroj të ritheksoj rëndësinë e sigurimit të burimeve financiare, duke përfshirë këtu edhe zhvillimin e teknologjisë si dhe rritjen e kapaciteteve. 

Duke pasur parasysh këtë, unë do t'i inkurajoja palët që gjenden në një pozitë më të favorshme, që të vazhdojnë të ndihmojnë vendet më të pambrojtura, duke synuar një tranzicion të drejtë dhe me solidaritet.

Partneriteti i ngushtë e i fortë, koordinimi dhe veprimi i përbashkët janë e vetmja mënyrë për t'iu përgjigjur këtyre sfidave globale.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat