Buxheti 2019, më i madhi në historinë e vendit

Shqipëria

Buxheti 2019, më i madhi në historinë e vendit

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 20:33
Arben Ahmetaj

Ministri i Financave Arben Ahmetaj gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, në kuadër të miratimit të Buxhetit për vitin 2019, nënvizoi se ky vit është viti i buxhetit më të madh në historinë e vendit.

Sipas Ahmetajt, “pritet një rritje ekonomike 4,4-4,5%. Katërfish pra, nga gropa e varfërisë e gjetur në vitin 2013. Ky është buxheti i rritjes ekonomike dhe e uljes së borxhit publik, kjo do të jetë rreth 3,6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ky borxh shkon në nivelin e 65%”, tha Ahmetaj.

“Janë disa vite radhazi që ulet borxhi publik që ka rënduar në vitin 2013 më shumë se çdo vit tjetër. Kjo na detyroi të ndërmerrnim masa fiskale të rënda për të pasur një buxhet të konsoliduar në vitin 2014 e 2015 dhe tashmë vijmë te buxheti i rritjes ekonomike. Buxheti është më i madhi në historinë e vendit. Investimet përbëjnë 5% të PBB. Po ashtu po rritim pagat në disa sektorë. Kjo vjen si rezultat i miradministrimit të financave publike në të gjitha sektorët”, theksoi Ahmetaj.

“Kush fiton më shumë, paguan më shumë, e kush fiton më pak, paguan më pak dhe kjo reflektohet dhe te buxheti. 65000 të punësuar do të kenë rritje page këtë vit. Në shëndetësi, rritja do të jetë 7-10% rritje për mjekët dhe për 13765 infermierë. Mësuesit pësojnë sërish rritje rroge. Deri në fund të mandatit kjo rritje rroge do jetë deri 40% për arsimtarët. Po ashtu 7800 ushtarakë, 3559 policë burgjesh përfitojnë nga rritja e pagave me rreth 7% e më pas sipas kategorive. Për herë të parë pas kaq vitesh përfitojnë dhe diplomatët për t’i rritur integritetin. Rritja e pagës për ta shkon mbi 20%”, – thekson Ahmetaj. – Konsumi është parashikuar të rritet 3%. Të porsalindurit, sërish do ketë përftime financiare, iniciativë e drejtpërdrejt e Kryeministrit. Të porsalindurit, prindi për fëmijën e parë do të marrë 400000 lekë të vjetra, fëmija i dyti 800000 lekë të vjetra, dhe fëmija i tretë 1200000 lekë të vjetra”.

Ai shtoi se kjo është rrija më e lartë ekonomike në rajon. “Duke nisur nga viti 2015 kemi vetëm ulje të varfërisë, sipas raportit të Bankës Botërore. Në të njëjtën kohë, buxheti është i fokusuar te mbështetja sociale. Paketa sociale në total shkon 272 miliardë”, nënvizon Ahmetaj.

Po ashtu biznesi është lehtësuar nga taksat, shtoi Ahmetaj. “Bizneset deri në 5 milionë nuk paguajnë taksa. Ato mbi 5-8 milionë xhiro vjetore kanë vetëm 5%, duke bërë një ulje të madhe”, tha Ahmetaj. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat