Presidenti Meta përshëndet 106-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Shqiptare

Shqipëria

Presidenti Meta përshëndet 106-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Shqiptare

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 08:56
Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe Olta Xhaqka

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka përshëndetur sot 106-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Shqiptare. Në mesazhin e tij, Meta shkruan:

‘’Me rastin e 106-vjetorit të themelimit të Ushtrisë Shqiptare, dëshiroj të përcjell konsideratat më të larta dhe urimet më të ngrohta për burrat dhe gratë nën uniformë, të cilët kanë kontribuar apo vazhdojnë të shërbejnë me përkushtim dhe sakrifica shembullore, për mbrojtjen e vendit dhe sigurinë kombëtare. 

Vlerësim maksimal për kontributet e spikatura gjatë operacioneve humanitare, por edhe paqeruajtëse!

Urime të veçanta dhe të përzemërta ju përcjell 210 ushtarakëve të cilët aktualisht, nën flamurin e NATO-s, kontribuojnë për lirinë, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Afganistan, Detin Egje, Letoni, në Mali, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. 

Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë! Lavdi të përjetshme dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për Atdheun,’’ përfundon Meta.

Ushtria kombëtare u krijua në 4 Dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës) e drejtuar nga Mehmet DRALLA (Tetova) dhe Shtabi i Përgjithshëm,i drejtuar nga major Ali Shefqet Shkupi. Strukturat kryesore përbërëse të saj ishin forcat aktive, rezervë ato vullnetare si edhe xhandarmëria, me 12000 personel gjithsej.

Image

Në tetor 1913, me vendim të konferencës së ambasadorëve në Londër, një grup ushtarakësh hollandez (oficerët hollandez De weer dhe Thomson si dhe 15 oficerë të tjerë) ndihmuan në ristrukturimin dhe përgatitjen e xhandarmërisë.

Vitet që pasuan shënuan zhvillime të tjera të rëndësishme. Kështu për herë të parë, Forcat e Armatosura u ndanë në Forca Tokësore, Detare dhe Forca Ajrore. Pavarësisht ndarjes, ato nuk u organizuan në nivelin e dëshiruar.

Gjatë periudhës së sundimit monarkik kjo ndarje ekzistoi, por vet forcat kaluan ndryshime të brendshme të vlerësuara pozitive për kohën. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe edhe rritja e buxhetit për ushtrinë ishte e konsiderueshme.

Gjithçka shteti shqiptar dhe Forcat e tij të Armatosura, kishin arritur deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore do të shuhej në ditën e agresionit fashist ndaj vendit tonë, më 7 prill 1939. Shteti u bë inekzistent dhe për pasojë edhe Forcat e tij të Armatosura. Në këto rrethana lindën Forca të reja të Armatosura që u përkisnin grupimeve të ndryshme politike të kohës dhe që u përballën me pushtuesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat