Prokuroria apelon vendimin, kërkohet më shumë burg për Emiljano Shullazin

Shqipëria

Prokuroria apelon vendimin, kërkohet më shumë burg për Emiljano Shullazin

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 10:59
Emiljano Shullazi

Pas ankimimit të Emiljano Shullazit dhe katër bashkëpandehurve kundër vendimit me 55 vite burg në total, për ta në Apelin e Krimeve të Rënda ka “trokitur” edhe Prokuroria.

Prokurorët kanë vendosur të mos lëshojnë pe për këtë çështje, duke ankimuar tre vendimet e pafajësisë që gjykata dha për Emiljano Shullazin. Ky i fundit u deklarua i pafajshëm për rastin e kërcënimit të profesorëve Dhori Kule, Mynyr Koni, biznesmenit Jani Zaka dhe biznesmenit tjetër në Lushnjë Adriatik Kërçuku. Përfaqësuesit e organit të akuzës kanë kundështuar vendimin e 13 Nëntorit të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për dosjen “Shullazi”, duke kërkuar që për këtë tre raste Shullazi të deklarohet fajtor. 

Sipas burimeve, prokuroria kërkon prishjen e vendimit për rastet ku Shullazi apo të bashkëpandehurit fituan pafajësi për disa prej veprave penale. Në Shkallën e Parë të pesë të pandehurit u deklaruan fajtorë. Shullazi u deklarua i fajshëm për dy akuza gjobëvënie dhe “grup të strukturuar kriminal”, por fitoi pafajësi për tre ngjarje të tjera.

Shullazi, 3 pafajësi e pësoi nga biznesmeni

Për një periudhë 19 mujore në gjykatën e Krimeve të Rënda janë zhvilluar 53 seanca gjyqësore, ku gjatë kësaj kohe debati mbi provat ka qënë mjaft i tensionuar mes palëve. Kjo pasi avokatët mbrojtës dhe të pandehurit kanë pretenduar në mënyrë permanente se çështja nuk kishte prova konkrete, por ana ana tjetër prokuroria ka gjetur mbështetje tek dëshmia e biznesmenit Ylvi Beqja, i cili në cilësinë e bashkëpunëtorit të akuzës, ka treguar të gjitha aktivitetin kriminal që Shullazi dhe anëtarët e grupit të tij kanë kryer ndaj tij, me qëllim tjetërsimin e shumave të mëdha të parave dhe tjetërsimin e ish-hotel Vollga në Durrës. Pikërisht dëshmia e Ylvi Beqja, ishte ajo që do mbajë në qeli Shullazin për 14 vite në qeli, dhe tre anëtarët e tjerë të grupit Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela. Kjo pasi për tre akuzat e ngritur nga prokuroria e Krimeve të Rënda si gjobëvënia dhe shkatërimi me eksploziv të pronës ndaj biznesmenit Adriatik Kërçuku, shkatërimi me eksploziv ndaj pronës së Jani Zakës dhe kanosjes së dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, Emiljano Shullazi mori pafajësi nga gjykata. Pafajësi morën dhe katër anëtarët e tjerë të këtij grupi kriminal, për tre akuzat e sipërcituara. Gjykata tha se të pandehurit nuk ishin gjetur fajtorë për dy raste të vendosjes së tritolit ndaj subjekteve që ishin kërcënuar, përfshi tritolin në garazhin e biznesmenit Zaka. Po ashtu ata nuk ishin gjetur fajtorë as për kërcënimin e rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni e ish-rektorit Dhori Kule. Avokati i Shullazit, Vladimir Meçe tha pas seancës se vendimi ishte i padrejtë dhe se do të kërkonin apelimin e tij. Gjatë pjesës së parë të seancës pati përplasje mes prokurorisë dhe avokatëve. Gjatë leximit të mbrojtjes, avokati Denion Bogdani e cilësoi akuzën si “fake neës”, ndërsa i akuzoi prokurorët për “thashetheme mejhaneje”. Qëndrimi i avokatit u kontestua nga prokurori Anton Martini, i cili tha se gjuha e përdorur nuk ishte etike, ndërsa gjykata i tërhoqi vëmendje avokatit që të përqendrohej në argumentet juridike.

Amerikanë e gjermanë monitorues të gjyqit

Në një seancë maratonë të zhvilluar në 13 nëntor 2018 që zgjati gati 8 orë, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari kryesues Fran Prendi, vendosi atëhere të deklarojë fajtor Emiljano Shullazin me 14 vite burgim, krahun e djathtë të tij, Gilmando Danin me 12 vite burgim, Endrit Qyqja me 10 vite burgim,Endrit Zela me 10 vite burgim dhe Blerim Shullazin me 9 vite burgim. Verdiktin e Gjykatës së Krimeve të Rënda e kanë monitoruar direkt dhe tre përfaqësues të ambasadës amerikane dhe gjermane në Tiranë, të cilët pas përfundimit të procesit gjyqësor dhe dënimit të 5 të pandehurve, falenderuan dy prokurorët e çështjes Genti Osmani dhe Anton Martini, sapo këta të fundit dolën nga salla e gjyqit. Ndërsa Shullazi dhe katër të pandehurit e tjerë nuk ishin prezent në sallën e gjyqit. Ky nuk është dënimi i parë për Emiljano Shullazin, pasi disa vite më parë ai është dënuar për trafik droge, grup të strukturuar kriminal, “Armëmbajtje pa lejë” dhe vepra të tjera penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat