Deputeti francez vlerëson përmbushjen e reformave nga Shqipëria

Shqipëria

Deputeti francez vlerëson përmbushjen e reformave nga Shqipëria

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 17:48
Pamje nga takimi

“Shqipëria është në rrugën e duhur në përmbushjen e reformave, duke bërë një punë vërtetë të mirë për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe emigrimit të paligjshëm”.

Kështu vlerësoi sot deputeti francez, Joachim Son-Forget, i partisë së Presidentit francez Emanuel Macron, La République en Marche, i cili u prit sot në një takim nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Duke uruar deputetin francez për rezultatet e tij zgjedhore, Balla theksoi se ky është një lajm i mirë, sepse Son Forget është një njohës i mirë i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria, tha Balla, ka nisur tashmë procesin “screening” dhe ka përmbushur një sërë prej detyrave që ka ky proces. Balla kërkoi mbështetjen e partisë La République en Marche në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Theksi i këtij takimi ishte Reforma në Drejtësi, ku deputeti Balla theksoi se brenda dhjetorit do të ngrihen të treja institucionet kryesore të drejtësisë: KLGJ, KLP dhe KED dhe se procesi i Vetingut tashmë është një sukses.

Përsa i përket një prej shqetësimeve kryesore që qeveria franceze ka pasur, atë të azilkërkuesve, gjatë takimit u bë e qartë se, “Shqipëria tashmë e ka zgjidhur këtë problem dhe se numri i shtetasve që kërkojnë azil është ulur në mënyrë drastike”.

E jo vetëm kaq, Ballla theksoi se “Shqipëria tashmë është bërë vend pritës i emigrantëve që vijnë nga Siria dhe Iraku, duke e parë atë si rrugë kalimi për në vendet europiane”.

Si njohës i mirë i rajonit të Ballkanit Perëndimor deputeti francez theksoi rëndësinë që ka integrimi i këtij rajoni në Bashkimin Europian. Joachim Son-Forget përgëzoi punën e qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Rama për të gjitha hapat e ndërmarrë drejt rrugës europiane të Shqipërisë.

Takimi u mbyll me ftesën nga ana e palës franceze për takime të Kryetarit të Grupit Balla në Francë në fund të janarit.

Në këtë takim, Balla shoqërohej nga zëvendësministrat Julian Hodaj, Petro Koçi dhe Teuta Vodo, njëkohësisht Sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Socialiste. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat