4 shqiptarë të vrarë në Greqi, MPJ shqiptare mjaftohet” vetëm me një deklaratë

Shqipëria

4 shqiptarë të vrarë në Greqi, MPJ shqiptare mjaftohet” vetëm me një deklaratë

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 15:21
MPJ

Në lidhje me ngjarje e rënda të ndodhura së fundmi në Greqi, aty ku janë vrarë disa shqiptarë reagoi sot edhe ministria e Evropës dhe Punët e Jashtme.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë kërkon nga Athina që të mos vonojnë në zbardhjen e këtyre ngjarjeve dhe të frenojnë përpjekjet e Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cenuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj.

Vetëm në dy javë janë vrarë 4 shtetas shqiptarë në Greqi.

Ky është reagimi i vakët i institucioneve shqiptare, ndërkohë që kujtojmë rastin e vrasjes së Konstandin Kacifas në Bularat të Gjirokastrës dhe “bujën” që bëri qeveria greke për zbardhjen e saj, edhe pse ishte ky i fundit që qëlloi ndaj policisë shqiptare.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është njoftuar nëpërmjet Ambasadës në Athinë se dje në mbrëmje, më datë 04.12.2018 në zonën e Kavallës, është gjendur i pajetë shtetasi shqiptar Marios Isak i datëlindjes 31.7.2000, lindur në Kavalla, Greqi.

MEPJ shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së të riut shqiptar dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të tij.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është në kontakt me familjen e të ndjerit për ofrimin e asistencës së nevojshme.

Kjo është vrasja e katërt e një qytetari shqiptar brenda dy javëve të fundit. MEPJ shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre.

MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombasve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këtyre ngjarjeve nga autoritetet greke.

MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cenuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj.

Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane.

Në kushtet kur bashkëkombasit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e Shtetit shqiptar për t'i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat